Shqipëria ka dalë nga lista gri e FATF(Financial Action Task Force), struktura mbikëqyrëse e krijuar nga partnerët ndërkombëtar që vlerëson çdo vend në botë në fushën e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Vendimi është marrë në seancën e sotme plenare me unanimitet nga të gjitha vendet pjesëmarrëse.

Lajmin e ka bërë të ditur Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku e cila mori pjesë në seancës që u zhvillua paraditen e sotme në Paris.

Balluku bën të ditur se vendimi vlerësoi angazhimin e Qeverisë Shqiptare, punën e bërë për përmbushjen e reformave, reformimin e Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave në një Agjenci Inteligjence Financiare, ndryshimet thelbësore në kuadrin ligjor si dhe investimet e bëra në dixhitalzimin e shumë proceseve.

Ky vendim sjell forcimin e Shqipërisë në skenën ndërkombëtare, krijimin e kushteve të favorshme për investime të huaja të mëtejshme, uljen e kostove të borxhit kombëtar, konsolidimin e shkëmbimeve tregtare dhe të shërbimeve të cilat rrjedhin nga ky pozicion i ri i Shqipërisë, shkruan Balluku teksa thekson se lufta për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizimit është dhe ka qenë në fokus të punës së Qeverisë Shqiptare.

Postimi i plotë i Ballukut
SHQIPËRIA DEL NGA LISTA GRI E FATF (Financial Action Task Force). Angazhimi i Qeverisë Shqiptare, puna për përmbushjen e reformave, reformimi i Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave në një Agjenci Inteligjence Financiare, investimi në ndryshimin thelbësor të ligjeve dhe dixhitalizimit të proceseve, kanë qenë të gjitha hapa që janë vlerësuar nga partnerët ndërkombëtar dhe anëtarët e FATF që sot zhvilloi seancën e saj plenare duke marrë një sërë vendimesh të rëndësishme, njëri prej të cilëve është një gur kilometrik për Shqipërinë, dalja e saj nga lista gri. Ky vendim sjell padyshim forcimin e Shqipërisë në skenën ndërkombëtare, krijimin e kushteve të favorshme për investime të huaja të mëtejshme, uljen e kostove të borxhit kombëtar, konsolidimin e shkëmbimeve tregtare dhe të shërbimeve dhe një sërë benefitesh të tjera të cilat rrjedhin nga ky pozicion i ri i Shqipërisë. Lufta për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizimit është dhe ka qenë në fokus të punës së Qeverisë Shqiptare dhe do të mbetet një nga angazhimet kryesore të saj në bashkëpunim me partnerët tanë strategjik.