Deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula thotë se Lulzim Basha dhe Sali Berisha janë “molla e sherrit” në këtë forcë politike.
Në një intervistë për ABC News, Sula u shpreh se Basha dhe Berisha po dëmtojnë opozitën dhe demokratët. Sipas Sulës, nëse nuk do ishte ky konflikt, opozita do të ishte më e unifikuar dhe më e fortë.
“Nga pikëpamja juridike, unë mendoj dhe gjykoj se së shpejti, rruga është shtruar për të ezauruar të gjitha mënyrat se si do të veprohet, por nuk mund të vazhdohet në këtë gjendje. Kjo është e padiskutueshme. Unë e kam thënë edhe kur kemi mbështetur zotin Basha mbas 9 shtatorit, në momentin që u mor vendimi për zotin Berisha, e kam thënë, ishte një vendim i pakonsultuar, një vendim i njëanshëm, të cilin e bëri në mënyrë individuale zoti Basha. Por gjithsesi, rruga që ndodhi zoti Berisha nuk ishte rruga e duhur, sepse krijoi përçarje të thellë të PD. Të njëjtën gjë e ripërsëriti zoti Basha tani, dhe që e filloi akoma më shumë, duke i dhënë, po përdor termin, oksigjen njëri-tjetrit. Kjo është për të ardhur keq.
Molla e sherrit, ka qenë Berisha-Basha, Basha-Berisha dhe pasojat i vuajmë ne të tjerët, nga mua që jam deputet i thjeshtë, madje edhe demokrati i fundit. Po të mos kishte ndodhur ky sherr, sigurisht që opozita do të kishte qenë më e fortë, do të ishte e unifikuar dhe do të ishte opozitë akoma më e fortë, do kishte më shumë zë”, theksoi ai.