Ish-ministri i Drejtësisë Aldo Bumçi ka folur sot në News24 për pranimin e kërkesës nga Gjykata për ta thirrur si dëshmitar në çështjen Gërdeci, ku po ashtu pritet të dëshmojë dhe Shkëlzen Berisha. Bumçi tha se do të thotë në Gjykatë atë që ka thënë në SPAK si dëshmitar. Ai sqaroi dhe një herë çështjen e “Fax”-it me shkrim dore, për të cilin është raportuar se i ka dërguar Shkëlzen Berishës.
“Vendimi është një akt i rregullt, ligjor dhe nuk ka ardhur asnjë pasojë.
Janë çështje të tjera të sigurisë për të cilat janë dhënë 100 vjet burg. Si ministër Drejtësie gjithçka është publike. Një shkresë e tillë nuk ekziston. Ajo shkresë është akuzë për ata që e kanë ngritur.
Ministria e Drejtësisë kishte vërejtje për vendimin e parë dhe vendimi i dytë kishte marrë parasysh vërejtjet tona. Pasi ne japim vendimin se nuk ka vërejtje, del ky fax. Ta mendojmë sikur e kam çuar këtë fax, do çoja fax nuk kam vërejtje. Ku e çoj? Në ministrinë e Mbrojtjes, punonte z. Berisha në ministrinë e Mbrojtjes? Asgjë nuk bën sens. Unë kam bërë kallëzim penal të verifikohet kaligrafia, nuk është bërë. Nëse është e imja, mbaj përgjegjësi, në të kundër ata që e kanë ngritur duhet të mbajnë përgjegjësi për falsifikim. Atë që kam thënë në SPAK si dëshmitar, do them në Gjykatë. Nuk ka akuzë, nuk ka çështje. Është keqpërdorim, nuk ka lidhje me drejtësinë. 100 vite burg janë dhënë. Nëse mendojnë se ka të tjerë, ta hetojnë”, deklaroi Bumçi.