Çelet programi i përbashkët i masterit për inteligjencën artificiale me diplomë dyfishe në Universitetin Politeknik të Tiranës, në bashkëpunim me Universitetin e Teknologjisë së Compiègne në Francë.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu, së bashku me Rektorin e Universitetit Politeknik të Tiranës prof. Andrea Maliqari, pritën në një takim znj. Claire Rossi, Presidente e Universitetit të Teknologjisë së Compiègne (UTC), për hapjen e programit të masterit me diplomë dyfishe të delokalizuar.
“Edhe një tjetër hap përpara drejt ndërkombëtarizimit të Universitetit Politeknik të Tiranës, me hapjen e programit master në “Inteligjencë Artificiale dhe Optimizim”, në bashkëpunim me Universitetin e Teknologjisë së Compiègne në Francë, me diplomën e dyfishtë të delokalizuar.
Me kënaqësi mirëprita bashkë me Rektorin e Universitetit Politeknik të Tiranës prof. Andrea Maliqari, znj. Claire Rossi, Presidente e Universitetit të Teknologjisë së Compiègne (UTC) dhe përfaqësues të këtij Universiteti.
Po punojmë së bashku për të mundësuar për herë të parë, përmes programit Erasmus Mundus, diplomën e katërfishtë mes Universitetit të Genovës, Itali, Universitetit të Catalunya, Spanjë dhe Universitetin e Teknologjisë së Compiègne, Francë dhe Universitetit Politeknik të Tiranës.
Dakordësuam të përgatisim së shpejti planin e përbashkët për të mundësuar hapjen e një filiali të Universitetit të Teknologjisë së Compiègne, në Tiranë duke mundësuar zgjerimin dhe alternimin e ofertës akademike, jo vetëm për studentët shqiptarë, por për studentët e huaj”- shkruan në rrjetet sociale Ministrja Manastirliu.
Home Lajme Aktualitet Bashkëpunim mes Universitetit Politeknik me Universitetin francez të Teknologjisë, Manastirliu: Diplomë dyfishe...