Komisioni Evropian ka konfirmuar se ka transferuar 60 milionë euro në mbështetje buxhetore për qeverinë tuniziane, pavarësisht se presidenti Kais Saied tha publikisht se ai i refuzon paratë e “bamirësisë”.

Këto fonde ishin pjesë e një pakete financiare prej 127 milionë eurosh të shpallur muajin e kaluar, bazuar në memorandumin e nënshkruar midis Bashkimit Evropian dhe Tunizisë në korrik.

Fondet ndahen në dy këste, 60 milionë euro për të mbështetur ekonominë e Tunizisë dhe rreth 67 milionë euro për të përforcuar menaxhimin e kufirit dhe për të parandaluar nisjen e anijeve të emigrantëve.

Saied hodhi poshtë të martën ofertën prej 127 milionë eurosh të BE-së, duke thënë se ajo ishte “qesharake” dhe në kundërshtim me memorandumin.