Presidenti i Republikës Bajram Begaj në konferencën për mediat me homologun e Kroacisë Zoran Milanoviç vlerësoi raportet dhe bashkëpunimet mes dy vendeve.
Ai e falënderoi Kroacinë, e cila sipas tij ka qenë dhe vijon të mbesë një avokate e fortë e Shqipërisë drejt aspiratës së saj për t’u bërë pjesë e BE. Ai tha se vendi ynë është një partner i besueshëm i BE në politikën e jashtme dhe në fushën e sigurisë.
“Shqipëria mbetet një partnere e besueshme e BE, veçanërisht në politikë të jashtme dhe në siguri”, tha Begaj.
Gjatë fjalës së tij, Begaj u ndal edhe tek tensionet e fundit në veri të Kosovës, ndërsa shtoi se rruga e vetme për shtensionim është vijimi i dialogut dhe normalizimin i raporteve, deri në njohjen reciproke mes Serbisë dhe Kosovës.
“Të dënohen sulmet në veri të Kosovës. Nënvizova nevojë e rritjes së presioneve dhe nxjerrjen e përgjegjësive për rritjen e paqes. E vlerësova shumë mbështetjen e Kroacisë për Kosovën. Dialogu mbetet e vetmja rrugë për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre, deri në njohjen reciproke”, tha ai