Nga Jakin Marena/

Ndodhi ajo që është paralajmëruar prej shumë kohësh, Sali Berisha dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi u morën nën hetim si të pandehur nga SPAK, për aferën e privatizimit dhe tjetërsimit të ish kompleksit sportiv “Partizani”. Dhëndri u arrestua direkt në Rinas teksa kishte shkuar sipas disa mediave për të pritur rikthimin e bashkëshortes Argita Berisha nga udhëtimi në një nga vendet e BE, por që një ‘axhendë’ e tillë e Malltezit nuk konfirmohet as nga SPAK e as nga burimet serioze mediatike që e kanë investiguar këtë rast. Në mungesë e tillë konfirmimi zyrtar dhe mediatik, lë për të dyshuar se Jamarbër Malltezi kishte marrë rrugën e arratisjes jashtë vendit, duke qënë se vjehrri i tij Sali Berisha ka informacion të detajuar për të gjitha lëvizjet në SPAK dhe në Gjykatën Speciale, ndoshta e kishte paralajmëruar që të ikte nga sytë këmbët, sepse do të binte në pranga. Fundja s’ishte as i pari as i fundit që mund të arratisej.

Janë dyshime këto, por me shumë gjasa Berisha nuk ka fare besim tek dhëndri Jamarbër, i cili njihet për ‘brishtësinë’ e tij deri në ‘thyerje’, dhe mund të kthehet, nëse nuk është kthyer akoma, në një ‘minë me sahat’ për të gjithë familjen Berisha, pasi mund të transformohet në një të ‘penduar’ të drejtësisë dhe u bën gjëmën. I varur nga familja Berisha ka qënë i shkreti, sikurse cilësohet rëndom nga ata që e njohin. Dhe marrëveshjet që nga Porto Romano, ish kompleksi sportiv “Partizani” e deri në Bregdet janë nënshkruar nga Argita sikurse dyshohet nga organet e drejtësisë. Madje dhe ato që ka nënshkruar vetë Abi, thuhet se ‘dorën’ ia kanë mbajtur të tjerët nga familja ish kryeministrore. Jamarbër Malltezi është arrestuar për korrupsion dhe pastrim parash, duke marrë si referencë përfitimin e 5.4 milionë eurove përmes pjesës së vogël që përfitoi nga të afërmit e tij në territorin e ish klubit të njohur sportiv, duke u bërë papritur me ndihmën e vjehrrit kryeministër në pronarin kryesor, e për pasojë dhe përfituesin kryesorë të milionave nga ngritja e kompleksit të njohur të pallateve shumëkatëshe në këtë sipërfaqe të përfituar, sipas SPAK, padrejtësisht.

Madje vjehrri kryeministër Sali Berisha përmes presioneve, premtimeve e ndryshimin e ligjeve për t’ia kaluar tërë këtë pasuri marramendëse dhëndrit të tij, më saktë vajzës së tij, aktivizoi tërë strukturën e administratës shtetërore, duke përfshirë 5 ministri të asaj kohe, dhe duke ia dalë që ta nxjerrë Malltezin nga ‘kothere’ që kishte qënë, në milioner. E prano dhe vetë para mediave këtë ‘sagë’ ndryshimesh, duke thënë se ua hoqi nga dora këtë pronë ‘grupeve okulte’ për t’ia dhënë dhëndrit të tij. Pikërisht involvimi i Sali Berishës në përvetësimin nga dhëndri i tij i ish kompleksit sportiv “Partizani”, përfitim ky miliona euro pa investuar asnjë lek, formatuan jo vetëm akuzën e pastrimit të parave për Malltezin, por dhe akuzën e rëndë për vetë Berishën ish kryeministër, atë të korrupsionit pasiv, pasi ka ndihmuar familjarët e tij për të përfituar padrejtësish miliona euro. Në një tokë, që sikurse ka deklaruar zyrtarisht dhe vetë krushku i Berishës që ka qënë në krye të arkivit të shtetit, është kompensuar njëherë nga italianët, para vitit 1945 dhe për pasojë i mbetej shtetit shqiptar. Pra Berisha dhe familja e tij ‘kafshuan’ pasurinë e shtetit ‘pastërtisht”.

Njëherësh, akuza e SPAK për Berishën është ‘mot a mot’ si një nga motivimet e SHBA që e shpalli ‘non grata’ për korrupsion madhor, përmes favorizimit të familjarëve e bashkëpunëtorëve të tij, për të përfituar nga pasuria e shtetit. Dhe Berisha që ka deklaruar se nëse faktohet një akuzë e vetme karshi tij, atëherë do të largohej njëherë e përgjithmonë nga politika. Tashmë me sa duket ka ardhur koha ta mbajë fjalën, të ikë njëherë e mirë dhe të çlirojë më në fund nga pengmarrja grupimin më të madh të demokratëve por dhe vetë PD-në në tërësi. Nëse i thotë vetes burrë malsie, sikurse deklaron lart e poshtë, duhet të mbajë fjalën. Por që të rikthehemi tek masat e sigurisë, nëse Jamarbër Malltezi u prangos direkt dhe u dërgua në paraburgim nën masa të forta sigurie, për Berishën SPAK tregoi pak mëshirë. I dha masën me detyrim paraqitje, masë të cilën me gjithë këmbënguljen e dy agjentëve të policisë, përkatësisht të pastrimit të parave dhe krimit ekonomik në zyrën buzë Lanës, Berisha për qamet nuk pranoi ta firmoste shkresën se se mori dijeni. Ka frikë Berisha, ndaj refuzon të përballet si burrë para drejtësisë, pasi e di si askush tjetër se çfarë ka bërë. E përdori dhe avokati këtë të hënë këtë ‘kartë’ mosdijenie. Për më tepër që Berisha filloi dhe paralajmërimin për t’i dhënë dimension politik dhe për ta orientuar në shkelje Kushtetute dhënien e masës ndaj tij për detyrim paraqitjeje. Në fillim nxori ‘levat’ e tij që filluan goditjen ndaj SPAK dhe drejtësisë së re, madje duke përmendur dhe me emër prokurorët dhe gjyqtaren që firmosen kërkesën për këtë masë sigurie, arrestimin e dhëndërit e detyrim paraqitje e bllokim pasaporte për të, më pas zbarkon vetë në një konferencë të jashtëzakonshme për mediat.

Ndoshta ishte konferenca e parë që gazetarët bënë me të vërtetë gazetari përballë Berishës, por nuk po zgjatemi shumë në këtë aspekt, pasi një nga njohësit më të mirë të mediave por dhe të ish kryeministrit demokrat, e ka sqaruar me detaje pa lënë asnjë presje mangët. Para mediave, Berisha në sytë e shqiptarëve tregoi se për çfarë ka luftuar për të shkatërruar PD-në dhe për të pasur nën ‘hyqëm’ një pjesë të saj. Tregoi se do ta përdorë për mbrojtje politike, madje e tha qartë dhe shkoqur, se me arrestimin e dhëndrit të tij ishte goditur opozita, ishte arrestim politik, anipse familjari i tij është prangosur si përfitues dhe pastrim parash. E dinë të gjithë shqiptarët, e ka thënë dhe aleati ynë më i madh SHBA, teksa e shpalli Berishën e familjen e tij ‘non grata’ në mënyrë të pakthyeshme, për korrupsion madhor. Por Berisha vijon t’i bjerë ‘melodisë’ se goditjeve politike, jo vetëm për të ushtruar presion ndaj drejtësisë, jo vetëm për të tentuar përlyerjen e kryeministrit që s’ka asnjë ndikim ndaj drejtësisë së re dhe as vullnet për ta marrë nëpër këmbë drejtësinë siç kanë bërë gjithnjë paraardhësit e tij, pasi nëse do të kishte këtë qasje Rama do të kishte shpëtuar ish zv.kryeministrin Arben Ahmetaj, ish ministrin Lefter Koka, ish ministrin Saimir Tahiri, ish deputetë si dhe disa ish kryebashkiakë socialistë që kanë bërë burg, ose janë të pandehur dhe presin nga dita në ditë që të gjykohen dhe marrin dënimin sipas ligjeve në fuqi. Ose dhe të shpallen të pafajshëm ndoshta. Përkundrazi, Rama vetëm ka mbështetur e mbështet, si dhe inkurajon drejtësinë që t’i nxjerrin ‘ujin e zi’ të gjithë atyre që kanë abuzuar me paratë e shtetit, pa asnjë dallim kahjeje politike.

Ndërsa Berisha, që të përfitonte dhëndri i tij Malltezi, e për pasojë dhe vajza Argita, vuri në dispozicion tërë shtetin për të përgatitur infrastrukturën e përfitimit të ish kompleksit sportiv “Partizani” i cili tashmë është kthyer në një kompleks pallatesh nga familja e tij, me vlerë miliona euro. Këto janë justifikime që dhe njeriu më i thjeshtë e di, se nuk e mbrojnë këtë maskarallëk që ka bërë hapur fare. E kanë pranuar që nga ish ministrat, ish gjeneralët e FS, por dhe vetë ortaku në biznesin e dhëndrit, Bekteshi, që tha se kompaninë që ndërtonte aty e drejtonte vetë dhëndri i Berishës. Duke e ‘shitur’ në momentin e parë, për të shpëtuar veten.
Për të evidentuar masën e sigurisë, e cila u mor sot në fakt nga Gjykata Speciale, Berisha është vetëm me detyrim paraqitjeje dhe i është bllokuar pasaporta për të mos dalë jashtë vendit, drejtësia u tregua e mëshirshme për të mos e prangosur dhe atë dhe futur në qeli bashkë me dhëndrin. Me të cilin kanë bërë punët e pista bashkë, kanë pastruar paratë përmes korrupsionit pasiv, akuzë kjo zyrtare e SPAK. Megjithëse për sa i përket bllokimit të pasaportës, ajo nuk i duhet fare Berishës, sepse nuk e fton askush, dhe në ato vende ku nuk është shpallur ‘non grata’ trajtohet si i tillë, dhe vetëm nëse kërkonte azil politik mund të ikte, SPAK, megjithëse ishte i shqetësuar se mund të prishte provat apo me qëndrimin e tij mund të krijonte situata të komplikuara, si dhe presione ndaj drejtësisë së re, e ka përcaktuar dhe SHBA në motivimin e shpalljes ‘non grata’ presionin e shantazhin ndaj drejtësisë

Por SPAK mund ta korrigjojë “shënjestrën”, mund të kërkojë që sot dhe ka gjithë të drejtën e Zotit që ta bëjë, prangosjen e Berishës për korrupsion pasiv, dërgimin e një kërkese në Kuvend për të lejuar arrestimin e tij, pasi kështu e përcakton Kushtetuta e ligji për deputetin i cili s’ka imunitet përballë akuzave për korrupsion, dhe për ta mbyllur në burg. Askush të mos mendojë se deputetët nuk do të votojnë lejen që mund të kërkojë SPAK për arrestimin e Berishës. E themi këtë sepse dhe frika është vrarë tashmë nga drejtësia, deputetët dhe gazetarët. Berisha praktikisht, jo vetëm që ka abuzuar por dhe i ka rënë ‘miti’ sipas të cilit në rastin e një arrestimi të mundshëm mund të organizojë turmat dhe të krijojë probleme për stabilitetin e vendit. U pa natën e së shtunës, ku a ishin apo nuk ishin 20 vetë, bashkë dhe me deputetët kamikazë, tek selia e PD ku kishte lajmëruar daljen para mediave, pas vendimit të SPAK. Me gjithë vonesat për të ardhur në seli, për të zbritur nga makina që të linte kohë për ardhjen e mbështetësve të tij, duatrokitjet ishin vetmitare, kishte më shumë gazetarë se mbështetës dhe për pasojë konferenca e Berishës ngjante më shumë me një ceremoni funebre, që po dërgonte në ‘banesën’ e fundit politikisht, Sali Berishën, i cili i ka dhënë për 32 vite me radhë tonin politikës shqiptare. Ishte braktisur nga të gjithë. Madje nuk erdhën as deputetët e grupimit të Bardhit me Gazin në krye, i të cilët janë ‘zhdukur’ nga qarkullimi dhe të paktën deri në mesditë nuk kanë dhënë asnjë deklaratë, ‘as bardhë dhe as zi’ për liderin e Foltores të cilës iu bashkuan me ta madhe në kuadër të ‘bashkimit’ të demokratëve sipas arsyetimit të tyre. Por për karrierë politike në të vërtetë. Marshi ‘funebër’ i rënies së Berishës politikisht shënoi dhe shuarjen e ëndrrës së tyre për të përfituar nga karizma e një 80 vjeçari, të cilit po t’i vertetohen akuzat, mund të dalë nga qelia në moshën 84 ose 92 vjeçare. Sipas Kodit Penal të Shqipërisë themi.

Megjithatë, Bardhi mesditën e sotme doli dhe pasi mbrojti në fillim Berishën, duke deklaruar se kufizimi i lëvizjes së një deputeti nga SPAK pa lejen e Kuvendit përbën shkelje Kushtetute, u shpreh se nëse kërkesa e SPAK për arrestimin e Berishës vjen në Kuvend, “do ta votoja pa hezitim si shenjë e besimit tim se askush nuk duhet të qëndrojë mbi ligjin apo të gëzojë një status të veçantë në raport me secilin prej votuesve tanë. Ne deputetët e opozitës nuk kemi betejë me drejtësinë. Edhe kur nuk jemi dakord me aktet apo vendimet e saj, ne nuk kemi betejë me drejtësinë”. Qëndrime këto që për ‘veshët’ e Berishës dhe të ithtarëve të tij, të cilët s’kanë besuar kurrë tek Bardhi për hir të së vërtetës, tingëllon si një ‘tradhëti’ ndaj Doktorit. Shpresojmë që SPAK të mos ia ‘prishë’ qejfin as Berishës as ithtarëve të tij, as Bardhit dhe mbështetësve të tij, dhe ta dërgojë në Parlament atë të ‘bekuar’ kërkesë për lejimin e arrestimit të ish kryeministrit demokrat menjëherë. Duke lënë mënjanë dhe mëshirën se është në pleqërinë e thellë. Pasi referuar dhe shqetësimit të SPAK se mund të tentojë prishjen e provave dhe futjen në kaos përmes presioneve dhe shantazheve, që kanë nisur me një stil të gjërë ndaj prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme, është e udhës që të shkojë në qeli, të përballet me akuzat për ish kompleksin “Partizani” bashkë me dhëndrin e tij. Sa për fillim themi. Le të dalë i pafajshëm nëse nuk ka faj, por akuza është e rëndë dhe provat janë hapur, dëshmitë e njerëzve që janë urdhëruar për të kryer këtë favor ndaj dhëndrit të tij kanë provuar qartë se përgjegjës kryesor për këtë korrupsion është Sali Berisha.

Fundja ka dhe precedentë për akoma më të moshuar që kanë shkuar në qeli. Me barrelë madje, siç është rasti i ish presidentit egjiptian Hosni Mubarak, i akuzuar dhe ai për korrupsion dhe abuzim me pushtetin. Ai u soll nga dhomat e paraburgimit me barrelë në sallën e gjyqit ku u përball me akuzat dhe mori dënimin që meritonte. 12 vite më parë ka ndodhur kjo. Apo akoma më herët kur diktatori Augusto Pinochet i Kilit, u shoqërua në qeli në karrocë me rrota, dhe me mendje të çakorduar. Jo më të mos futet Berisha në qeli, për të cilin ‘vitet janë vetëm numra”. Pra është i fortë dhe këtë e deklaroi në ditëlindjen e 79-të të tij. Aq më tepër që tani është dhe pa asnjë shtëpi, pasi me urdhër të SPAK u sekuestrua vila në Gjirin e Lalzit ku kalonte verën dhe fundjavat por dhe apartamenti në Tiranë në Rrugën “Mustafa Matohiti” ku banonte. Mbeti pa shtëpi, se banesat janë në emër të vajzës Argita e dhëndrit Jamarbër. Donte të bënte si i përkorë Berisha, tani është “muhaxhir”, pa shtëpi. SPAK do bënte ‘sevap” po ta çonte në ‘banesën’ e re! Sikurse e tha dhe Bardhi në mesditë, askush nuk duhet të qëndrojë mbi ligjin e askush nuk duhet të ketë status të veçantë përballë ligjit, në raport me drejtësinë. Pra as Sali Berisha, nënkuptoi Bardhi. Se cili është qëllimi i Bardhit do të shihet në ditët në vijim. Por gjasat janë dy: ose merr drejtimin e grupimit “Foltorja” dhe e shpall parti të re me emër të ri ose e bashkon me PD-në zyrtare të Bashës, duke u rikthyer nga erdhi. Ose ndodh tjetra, ithtarët e Berishës e flakin jashtë ‘Foltores’, sa hap e mbyll sytë. Gjithçka është në varësi të vendimit të SPAK dhe të Gjykatës Speciale për Berishën, i cili merret të martën, më 24 tetor ora 14.00. Kur Berisha do merret në pyetje si i pandehur.