Nga Jakin Marena

Sali Berisha tashmë e ka bërë rrugë, del çdo ditë para mediave dhe shpjegon, kuptohet në versionin e përmbysur të realitetit, rresht për rresht dosjen në ngarkim të tij dhe të dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi, atë të privatizimit të ish kompleksit sportiv “Partizani”.

Që nga momenti kur Gjykata Speciale me kërkesë të SPAK e mori nën hetim si të pandehur për korrupsion pasiv, dhe prangosi dhëndrin e tij Abi nën akuzën për pastrim parash, Berisha e ka humbur ‘ekuilibrin’ tërësisht, dhe mezi pret zbardhjen e ditës për të dalë para mediave.

Herë përmes konferencave të shtypit, herë përmes mbledhjeve të kryesisësë së ‘Foltores’ apo takim me deputetët që i rrinë afër, me cikël të mbyllur në emisionet televizive që kanë durimin të dëgjojnë dhe dëgjojnë ato që ai ka thënë gjatë gjithë ditës, nganjëherë në dy ekrane njëherësh, Berisha vetëm merret me dosjen në ngarkim të tij dhe të dhëndërit Abi.

Dikush mund të thotë se s’ka ku të shkojë, pasi i janë vënë nën sekuestro banesat ku qëndronte. Bëhet fjalë për vënien nën sekuestro të pasurive të Jamarbërit, për pasojë dhe të Argita Berishës, duke filluar nga vila e stërmadhe me tre seksione në Gjirin e Lalzit, ku prehte kockat Berisha gjatë fundjavës dhe gjatë verës, apo apartamenti në rrugën “Mustafa Matohiti” në Tiranë, ku banon Doktori. Ndaj sillet e sillet dhe del para mediave, s’ka ku shkon.

Rob hesapi pa shpi Berisha, i cili duke bërë si i përkorë dhe që nuk prek asnjë lek nga paratë e shqiptarëve, ka mbetur dhe pa shtëpi zyrtare, e tashmë endet rrugëve. Zyrtarisht themi, sepse asnjë mendje e shëndoshë nuk e beson që Berisha si doktor i “Bllokut” dhe sekretar PPSH nuk ka ‘trashëguar’ një hyrje pallati nga sistemi, apo si President për 5 vite, si kryeministër 8 vite dhe pjesa e mbetur si një lider i fortë opozite, s’ka përfituar një shtëpi. Janë të vajzës thotë Berisha në të gjitha daljet televizive, me la të banoj aty.

Shyqyr që arriti të pushtojë selinë e PD buzë Lanës që të mblidhet pak në zyrë e më shumë në banjë këto kohët e fundit, për të përballuar kontaktet me oficerët gjyqësorë që duan t’i lënë në dorë një copë letër që përmban masën e dhënë ndaj tij nga gjykata, për kufizim lëvizjeje jashtë shtetit duke i bllokuar pasaportën dhe për ta thirrur në një seancë pyetjesh. Ndaj i është gjetur zyra në PD që ia rrëmbeu me të padrejtë Bashës dhe që nuk e lëshon për qamet. Eshtë e vetmja pikë kontakti zyrtare me botën juridike, politike dhe njerëzore për Berishën selia buzë Lanës.

Pavarësisht akuzës së rëndë në ngarkim të tij për korrupsion pasiv me pasojë pastrimin e parave, pavarësisht se dhëndrin e ka në burg, i cili bashkë me Argitën tashmë nuk disponojnë asnjë pronë, pasi të gjitha janë sekuestruar, pavarësisht se thuajse të gjithë e kanë braktisur në këtë të keqe të madhe që e priste me zemër të ngrirë prej 10 vitesh, Berisha ia del të bëjë dhe të fortin, duke mos u paraqitur asnjë ditë në gjykatë në seancën e pyetjeve për aferën e madhe të privatizimit të ish kompleksit sportiv “Partizani”.

Mbahet te Kushtetuta, duke deklaruar se e respekton pikë për pikë atë, pavarësisht se në të gjitha herët ia ‘ka bërë naftën’ respektimit të saj, në të gjitha nenet e mundshme, aq sa dhe SHBA e Britania e shpallën ‘non grata’ për korruspion madhor, minim të demokracisë dhe shantazhim të drejtësisë, të cilat në themel kanë respektimin e Kushtetutës së Shqipërisë.

Por Berisha ka kodin e vet, “Kushtetutën” e vet, të cilën e intepreton atë sipas interesave të tij, halleve të tij. Dhe këto inteprtetime nuk ngjajnë jo nga viti në vit, por as nga muaji në muaj e herë herë as nga dita në ditë. Pavarësisht se dalin nga njëjta gojë, goja e Berishës në të gjitha herët.

Këtë herë e ka zënë me nenin 73 pika 2 për lirinë e personit kur është deputet, ku Berisha bën interpetimin e tij sipas dëshirës dhe i përzien lirinë e lëvizjes me lirinë e personit, duke e paraqitur vendimin e Gjykatës Speciale për detyrim paraqitje dhe bllokim pasaporte, si një vendim që kufizon lirinë e një deputeti dhe për të cilin duhet kërkuar leje nga Parlamenti.

Për hir të së vërtetës kufizimi i lirisë së personit, qoftë ky dhe deputet përban elementë të tillë si arrest me burg apo arrest shtëpiak dhe jo bllokim për të dalë jashtë shtetit, që dhe pa vendimin e Gjykatës Speciale, si ‘non grata’ funksional që është, Berisha s’ka përfituar kurrë nga kjo liri. Por Berisha nuk dëgjon nga ai ‘vesh’,

Duke qënë se Berisha asnjëherë nuk i ka njohur gjykatat shqiptare, tani i volit që ky nen i Kushtetutës të intepretohet kështu siç do ai, duke e cilësuar vendimin e gjykatës anti-kushtetues. Madje përmes avokatëve të tij, marrin shënime nga ai avokatët mbrojtës para se të shkojnë tek institucionet përkatëse ligjzbatuese, kallëzuan në SPAK gjyqtaren që mori këtë masë sigurie për Berishën. Madje teksa ka kërkuar përjashtimin e saj nga gjykimi, gjykata e rrëzoi këtë kërkesë, Berisha dhe e ka kërcënuar rëndë, dhe në vijim dhe mbështetësit e tij. Publikisht.

Masa e sigurisë ‘detyrim paraqitje’ është me të vërtetë e lehtë për Berishën, thuhet për efektin e moshës së madhe që ka, pavarësisht se sherret që bën nëpër këto ‘lagjet’ e Tiranës i ka si të një të riu. Njëherësh kjo masë është në përputhje me Kushtetutën, këtë e thonë juristët dhe avokatët, në deklarime publike themi.

Megjithëse janë të paktë ata shqiptarë që nuk do të dëshironin një masë tamam, siç i vjen për shtat akuzës së rëndë në ngarkim të tij për “Korrupsion pasiv”. Pra një masë siç kanë qënë dhe janë precedentët e deritanishëm, me arrest me burg në shtëpi apo dhe në qeli. Prevalon dëshira e shqiptarëve për këtë masën e fundit, dhe të gjithë kanë pritur që organet ligjzbatuese të kërkonin në Kuvend lejen për arrestimin e Berishës. Pasi është deputet. Nuk e bënë as SPAK e as Gjykata Speciale këtë, tani le të ‘vuajnë’ refuzimin e Berishës, karagjozllëqet e avokatëve të familjes, shtyrjen e seancës së pyetjeve ditë pas dite. Të durojnë dhe shqiptarët Berishën 24 orë në media.

Berisha është ‘usta’ për këto punë. Kur vijnë policët gjyqësorë për ta njoftuar te selia buzë Lanës, nxjerr Flamur Nokën t’i presë, ndërsa vetë futet në banjë për seanca të gjata derisa ta lajmërojnë se ikën, për të dalë prej andej.

Madje Noka, si sekretar i përgjithshëm i Foltores, për të justifikuar mosmarrjen e njoftimit për masën e sigurisë dhe seancën e pyetjeve në gjykatë të Berishës, kthen dhe përgjigjie zyrtare për policinë duke thënë se ‘këtë shtetas nuk e njohin në PD’. Ka të drejtë, Berishën nuk e njohin si kryetar as si anëtar në PD zyrtare, është kreu i “Foltores”. Madje as vetë Nokën, pavarësisht se ai firmos në emër të PD shkresa, ndërkohë që vulën dhe logon zyrtare të partisë e ka Basha. Po ky është një problem tjetër, le të merret vetë Basha me përvetësimin e simboleve të partisë së tij.

Pavarësisht se Berisha deklaron se nuk ka marrë njoftim zyrtar për masën e sigurisë, del para mediave dhe përmes konferencave të shtypit sulmon prokuroren dhe gjyqtaren që firmosën këtë masë sigurie, me argumentin se kanë bërë veprim anti-kushtetues. Hajde e merre vesh Berishën, edhe s’është njoftuar dhe komenton e sulmon me emër prokurorët dhe gjyqtaren për masën e sigurisë. Fundja kështu ‘harroi’ dhe emrin e baxhanakut të ‘rënë’ në tragjedinë e Gërdecit, të cilit i ngatërroi emrin. Ka nisur të ngatërrojë dhe mbiemrin e ortakut të biznesit tek kullat miliona e miliona euroshe të dhëndrit Abi i cili është mbyllur në burg, duke ia kthyer nga “Bektashi” në “Bekteshi”. Publikisht e ndryshoi.

Me sa duket është ‘zbërthyer’ biznesmeni, apo siç thuhet ‘është penduar’ para drejtësisë, teksa në media është publikuar fakti se Bektashi ka deklaruar në SPAK se “Jamarbër Malltezi s’ka futur lekë në kompaninë ‘Homeplane’, financuesja e investimit miliona eurosh, por kontributi i vetëm i tij ishte të bindte pronarët e tjerë që ta vënë tokën ne dispozicion për të bërë ndërtimin”.

Kjo është tepër e rëndë, pasi jo vetëm SPAK-un dhe Gjykatën Speciale, por dhe qytetarët i vë para pyetjes: Ku i gjeti dhëndri Jamarbër Malltezi paratë për të investuar dhe për të arritur në një fitim neto prej 5.4 milionë eurosh pa futur asnjë lek për investimin tek ‘Partizani’. Eshtë një fitim jo 10 apo 80 përqind, por 1 mijë përqind ky, dhe ‘thyen’ të gjitha ‘manuelet e biznesit’ kjo mënyrë e të bërit biznes e të fituari. Pavarësisht se si e sheh Berisha dhe e paraqet para mediave.

Dhe meqë jemi tek kjo pika e të bërit biznes, Berisha pjesën më të madhe të konferencave të shtypit dhe të përballjeve televizive, ia ka kushtuar mënyrës se si dhëndri i tij Abi është bërë supermilioner. Por në një mënyrë të veçantë, pa pasur kokërr leku në xhep më parë.

Duke lënë mënjanë ato historitë dhe përrallat se Abi është një njeri që është pasuruar nga puna në Kosovë bashkë me bashkëshorten Argita Berisha, janë histori që nuk i besojnë as shqiptarët e jo më njerëz që marrin vesh nga biznesi apo nga llogaritë, aq më pak ta besojnë gazetarët, ia vlen të përmendim ‘leksionet’ që Berisha jep gjithë ditën, se si ‘djaloshi Abi’ u bë milioner. Përmend se ka pasur 60 milion lekë për investim fillestar, në një kompleks pallatesh që vlejnë 25 milionë euro, dhe ku përfitimi i dhëndrit nga këto ndërtime ka qënë 5.2 milionë euro. Të ‘paguara që në themel’ siç këmbëngul Berisha, për të justifikuar ku u gjetën paratë ende pa u mbyllur investimi. Për çdo mendje të shëndoshë janë shumë, po shumë ama, si ‘marzh fitimi’ nga një investim, qoftë dhe në ish kompleksin “Partizani” ku kishte vetëm 113 metra katrorë pronë nga të afërmit.

Berisha rendit një sërë ligjesh përfituese për pronarët, anipse në kohën e tij pronat e tyre dhe shumëfishin e tyre i morën vetëm njerëzit e familjes së Berishës, bashkëpunëtorët e tij dhe ata të lidhur me ta, ndërsa të tjerëve u plasi shpirti dhe nuk i morën. Madje shumë kanë shkuar dhe në atë botë, pa pasur letrën e pronësisë në dorë, për të cilën ishin rropatur për shumë vite.

Berisha i mëshon faktit se ai ka ndërmarrë ligje ku ka përfituar dhe dhëndri i tij. E pranon këtë, por shton se çfarë të bënte, mendoi për popullin dhe në mes të popullit përfitoi “Djaloshi Abi”. I cili po sipas tij, si një biznesmen i shkathët, ia doli që të marrë pronën nga vjehrri i tij Sali, pronë që ishte bllokuar prej vitesh dhe kur pronarët bënë ‘goditjen’ e duhur duke vënë si interlokutor të vetëm tek kryeministri i atëhershëm, pikërisht dhëndrin e tij. Pra një sekser që mbaron punë Abi.

Malltezi ia doli jo vetëm që të ‘nxirrte’ pronën nga vjehri kryeministër, duke bërë që të ndryshojë të gjitha ligjet dhe vendimet në favor të përvetësimit të ish kompleksit sportiv “Partizani” dhe të kalojë në varësi të vjehrrit të gjitha isntitucionet e kthimit të pronave dhe të emërojë njerëzit e tij në krye të këtyre institucioneve, por të fitojë dhe ndaj babait të tij Luan, ish drejtor i Arkivit të Shtetit. I cili me atë pastërtinë e tij kishte firmosur një shkresë zyrtare sipas të cilës thuhej se kjo sipërfaqe toke është paguar njëherë nga italianët për ish pronarët. Anipse Berisha tani thotë se është mbi një kilometër larg. Dhe këtë e thotë me ‘përpikmëri’ Berisha, i cili vetëm 15 vite më parë deklaronte se nuk e dinte ku binte Gërdeci. Hajde merre vesh, i vjen dhe i shkon kujtesa Berishës, sipas halleve që e kapin për fyti.

Dhe sa kohë që nuk do t’i bindet vendimit të gjykatës për t’u pyetur rreth aferës së privatizimit të ish kompleksit sportiv “Partizani”, shqiptarët do jenë të ‘dënuar’ të dëgjojnë shpjegimet e Berishës nëpër konferenca shtypi. Për më tepër që do të dëgjojnë dhe ‘leksionet’ falas të tij në lidhje me mënyrën se si bëhesh biznesmen pa futur asnjë lek, me mënyrën si si bëhesh milioner pa pasur asnjë lek në xhep. Të ilustruar këto prej Berishës përmes dhëndrit të tij, “djaloshit Abi”, sipas tij një biznesmen i shkathët. Paçka se vetëm për të shkathët nuk e mbajnë Abi Malltezin. E quajnë me fat, që u martua me Argita Berishën, vajzën e liderit absolut të PD, ish president dhe ish kryeministër, firmosi letrat e kaq. Pjesa tjetër ka ‘lëvizur’ vetë, siç e dinë të gjithë shqiptarët.

Tetë vite kryeministër vjehrri dhe të mos bëhesh me para, do të ishte kulmi i ‘varfërisë’. Me ‘një dorë’ tek “Partizani” fitoi 5.2 milionë euro Abi. Pa llogaritur të tjerat, të cilat dhe ato janë nën hetim, që nga paratë e ardhura nga Qipro për “Porto Romanon”, e deri tek pronat në bregdetin e Jugut apo prona të tjera. Pa llogaritur paratë që ka në banka.

Megjithatë Berisha do të vijojë të prezantojë çdo ditë ‘emisionin’ televiziv ‘si u bë djaloshi Abi milioner pa pasur kokërr leku në xhep’. Leksione që do të shfaqen deri në momentin kur gjykatës t’i ‘plasë shpirti’ duke kërkuar Berishën për ta pyetur për aferën e “Partizanit”, dhe të kërkojë në Kuvend lejen për masë më të ashpër sigurie. Me burg, se arrest shtëpiak e kanë të vështirë, pasi nuk ka shtëpi. E kemi të ‘varfër’ Doktorin. I vetmi i këtij lloji. Deri atëherë do të vijojë ‘loja’ me avokatët për të zvarritur procesin, ata të familjes që japin dorëheqje, ata me kryesisht njëri kishte postuar një status në rrjetin social ku shkruante “Bisha…” pa përmendur asnjë emër, e “Foltorja” nënkupton vetëm Berishën si ‘bishë”, e deri te avokatja që kishte qënë në listën e partisë së Ilir Metës si kandidate për deputete. Kështu do vijojë.