Ndërsa sot pritet që të zhvillohet seanca tjetër ndaj tij, Sali Berisha vijon daljet nga selia e PD-së dhe mbrojtjen duke përmendur disa pika të dosjes për aferën e privatizimit të kompleksit Partizani, që sipas tij, nuk qëndrojnë aspak. Berisha pretendon se akuzat e ngritura ndaj tij dhe familjes janë politike.
Gazetarja Erneta Shevroja raportoi se ish kryeministri ka thënë se nuk do të paraqitet në gjykatë, pasi sipas tij, nuk po kryhet procesi i rregullt dhe se ka mbrojtjen e kushtetutës, konkretisht neni 73, i cili kërkon që për çdo cenim lirie të një deputeti duhet të merret autorizim nga Kuvendi i Shqipërisë.
“Berisha thotë se e gjitha po bëhet për të goditur reformat që ka ndërmarrë qeveria e tij dhe për të goditur atë dhe familjarët ndërsa pretendon se nuk ka ndërmarrë asnjë akt që ka të bëjë me pasurimin e familjarëve por ka ndërmarrë akte nga të cilat kanë përfituar mijëra shqiptarë, që kanë qenë të nevojshme për kohën. Berisha nisi konferencën në orën 11:30 ndërkohë që është parashikuar edhe mbledhja e kryesisë së tij për të diskutuar për zhvillimet e fundit politike”, u shpreh gazetarja.