Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ka dhënë detaje për bilancin e sezonit turistik veror. Sipas saj gjatë periudhës janar-shtator 8.3 milionë të huaj vizituan vendin tonë. “Periudha Janar-shtator 8.3 milionë vizitorë të huaj. 1.9 milionë vizitorë të huaj më shumë se 9 mujori i kaluar. Në planet tona kishim parashikuar të arrinim 10 milionë. Vendi ynë i vogël përshkrohet, nga gati 5 fishi i popullsisë së vendit. Saranda përballoi 10 fishimin e popullsisë.
“Në këtë vit, që meriton të quhet turistik, u krenuam, si me Tiranën që është kthyer në destinacion të mirëfilltë turistik si një laborator arkitekturor modern por edhe plot energji rinore, sportive dhe kulturore, ashtu edhe agroturizmet nga Tropoja, apo Thethi deri ne Elbasan, Ersekë e Tepelenë, me lumin Vjosa në krye, pa përmendur këtu epitetet lavdëronjëse për bregdetin tonë nga mediat e huaja.
Thënë kjo, sfida dhe përgjegjësia bëhet edhe më e madhe, sepse pritshmëritë do të jenë shumë më të larta për vitin që vjen, prandaj, kjo do të jetë kryefjala: përgjegjësia për të mos zhgënjyer asnjë turist në 2024”, u shpreh ministrja Kumbaro.
“Muaji shtator u mbyll me 1,1 milionë vizitorë të huaj, rreth 30% më shumë se viti i kaluar,
ndërsa 9-mujori shënoi 8,3 milionë, ose 1,9 milionë vizitorë të huaj më shumë se 9-mujori i vitit të kaluar. Nuk i përmend për t’u krenuar por për t’u ndërgjegjësuar se kur vendi përshkohet, jetohet, eksperimentohet, udhëtohet, nga gati 5-fishi i popullsisë së qëndrueshme, përgatitja, mobilizimi dhe vëmendja, madje dhe alerti, janë dhe duhet të jenë shumë më lart”, theksoi Kumbaro.
Në analizën e sezonit turistik veror, ministrja Kumbaro foli për punën e bashkive dhe Agjencisë Kombëtare të Bregdetit për pastrimin e territorit, ku sipas saj lufta me mbetjet ende nuk është fituar dhe nga ana tjetër përmendi bashkëpunimin e suksesshëm me të gjithë aktorët që morën pjesë në mbarëvatjen e sezonit turistik veror si Policia Kufitare, Policia e Shtetit, Urgjenca Kombëtare, etj. Ministrja Kumbaro përmendi si suksese të sezonit turistik veror 2023, Kalendarin e Unifikuar të Eventeve TEA, si dhe numrin e lartë të vizitorëve në Zonat e Mbrojtura.
“Këtë sezon i dhamë të gjithë vizitorëve një udhërrëfyese, një mikeshë në zbulimin e eventeve siç ishte TEA – Kalendari i Unifikuar i Eventeve Turistike, që në vetëm 2 muaj është shkarkuar më shumë se 23 mijë herë. Dhe s’mund të lë pa përmendur as vizitorët në Zonat e Mbrojtura, të cilat janë më shumë se asnjëherë tjetër, plot 3,2 milionë deri në muajin gusht, me qindra mijëra shqiptarë e të huaj që zgjodhën të futen në brendësi të territorit, në parqet natyrore e kombëtare, nga Alpet e Shqipërisë, e deri në Syrin e Kaltër.
Është konkretizimi më i mirë se ekoturizmi nuk është një term që i përket strategjive, por realiteti i pashmangshëm e aq shumë i dëshirueshëm njëkohësisht”, vazhdoi Kumbaro. Për sa i përket nisjes së përgatitjeve dhe prioriteteve për vitin e ardhshëm, Kumbaro përmendi ndarjen e stacioneve të plazheve, projekltigjin e ri për turizmin, strategjinë e re turizmit dhe së fundi instrumentin e ri të statistikave për turizmin sipas meteodologjisë ndërkombëtare të miratuar nga Organizata Botërore e Turizmit.
Në fund të fjalës së saj, ministrja Kumbaro u ndal edhe tek eventet e planifikuara për vitin e ardhshëm që ndikojnë direkt në promovimin e Shqipërisë siç janë panairi “FITUR Madridt”, “ITB Berlin” dhe mikpritja në Tiranë mbi 40 ministra nga gjithë Evropa në organizmin e Komisionit Europian të Organizatës Botërore të Turizmit.
Në takim ishin të pranishëm kryeministri Edi Rama, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe njëkohësisht zv/kryreministrja Belinda Balluku, ministri i Brendshëm Taulant Balla si dhe kryetarët e bashkive, operatorë të turizmit e përfaqësues të tjerë të sektorit.