Pas kthimit të vendit në një destinacion të preferuar turistik është rritur ndjeshëm numri i individëve që regjistrojnë në Booking apo AirBnb pronat e tyre për t’i dhënë me qira ditore, por pjesa dërmuese e tyre operojnë në informalitet, sipas agjencive imobiliare.

Tashmë midis kompanive ndërkombëtare që ofrojnë këtë lloj shërbimi dhe administratës tatimore është vendosur bashkëpunimi për formalizimin e tregut dhe për taksat që duhet të paguhen për të ardhurat e gjeneruara nga qiratë afatshkurtër.

Me kërkesë të autoriteteve shqiptare, platforma Booking, nëpërmjet një njoftimi, u ka kërkuar pronarëve të apartamenteve se nëse nuk deklarojnë NIPT-in, nga 1 Nëntori do të paguajnë 20% TVSH për komisionet që mban Booking.

“Ju lutem vini në dispozicion numrin tuaj NIPT brenda 31 Tetorit 2023. Gjithashtu konfirmoni regjistrimin tuaj për taksën e TVSH-së, datën e regjistrimit dhe deklaratën e regjistrimit të TVSH-së brenda 31 Tetor 2023. Nga 1 Nëntori 2023, nëse nuk keni dorëzuar regjistrimin e TVSH-së, konfirmimin që jeni i regjistruar në TVSH, datën dhe një kopje të vërtetimit tuaj të regjistrimit do të aplikojmë 20% TVSh në faturën e komisionit që ju dërgojmë. Ju lutem vini re se kjo ka të bëjë vetëm me faturën e komisioneve që ju dërgojmë, nuk ndikon në TVSH-në që i ngarkohet klientit në çmimin e qëndrimit të tyre në pronën tuaj”, thuhet në njoftimin e Booking.

Nëse një shtëpi ka një qira ditore 100 euro, Booking merr zakonisht 12-18% komision, ose 12-18 euro.

Booking do t’u mbajë pronarëve të apartamenteve TVSH-në mbi komisionin që ajo merr, pra 20% të 12-18 eurove, ose 2.4-3.6 euro shtesë. Këtë shumë Booking do t’ua paguajë më pas autoriteteve fiskale shqiptare.

Alternativat e pronarëve, ose tatim mbi të ardhurat 15%, ose të regjistrohet si strukturë akomoduese me 6% TVSH

Ndërsa shuma që Booking do të mbajë si TVSH mbi komisionet mund të mos jetë shumë e lartë, synimi i Tatimeve është që përmes këtyre pagesave të identifikohen individët e regjistruar në këtë platformë, pasi të dhënat nga pagesat e kryera nga Booking do t’i dërgohen Drejtorisë së Tatimeve.

Këta të fundit do t’u drejtohen më pas pronarëve të apartamenteve për t’u kërkuar që të paguajnë taksat mbi të ardhurat që ata përfitojnë, në bazë të legjislacionit fiskal.

Pas identifikimit nga tatimet, individët pronarë kanë dy alternativa:

E para, ata mund të vazhdojnë që të mbajnë statusin që kanë, d.m.th. të mos regjistrohen në tatime, por ndërkohë duhet të paguajnë 15% si tatim mbi të ardhurat që ata marrin nga qiraja.E dyta, të regjistrohen si subjekt tregtar të kategorizuar, si struktura akomoduese për të cilat detyrimi i TVSH-së është 6%. Kategorizimi si strukturë akomoduese për përfitimin e TVSH-së 6% kryhet nga Ministria e Turizmit, dhe më tej pas marrjes të tij, subjekti tregtar regjistrohet për NIPT në Tatime, shkruan Monitor.

Për momentin kjo masë për formalizimin e tregut përmes identifikimit të pronarëve të regjistruar në platformat e huaja është për Booking, pritet së shpejti të shtrihet edhe për identifikimin e pronave të regjistruara në AirBnb dhe Tripadvisor.