Nga Neptun Bajko

Kjo, përveçse ishte një ndeshje e rëndësishme mes dy ekipeve në një moment shumë përcaktues, si për ne, ashtu edhe për çekët, ishte edhe një ndeshje midis dy trajnerëve.

Së pari, Silvinjo e kishte studiuar ekipin çek deri në detaje. Jo vetëm që e kishte analizuar shumë mirë, por e ndërtoi lojën e skuadrës sonë pikërisht për të shfrytëzuar lojën në bllok si ekip, me mbrojtjen që kishte detyra të qarta. E kam fjalën pra për lojën e ajrit, ku mendohej që çekët do të kishin një pikë referimi, por ata në asnjë moment nuk rrezikuan portën tonë dhe mbrojtjen tonë. Ra në sy loja e ajrit të Gjimshitit, i cili doli fitues në të gjitha krosimet që u bënë në drejtim të zonës së rreptësisë sonë.

Por nuk ishte vetëm ky detaj, sepse i referohem edhe mënyrës së vendosjes e Kombëtares sonë. Kjo bëri të mundur që jo vetëm nuk lejuan për asnjë çast të goditej porta, por mos ta shikonin fare kuadratin e Berishës. Një tjetër element që dua të përmend dhe të përgëzoj trajnerin Silvinjo, aty pra ku ai e mposhti trajnerin çek, ishte edhe fakti që ekipi sapo merrte topin funksiononte në mënyrë të shkëlqyer në kundërsulm. Ishte gjithçka e punuar me detaje.

Në anën taktike skuadra jonë i çorientoi kundërshtarët dhe i lodhi shumë ata edhe fizikisht. Mjaftojnë këto dy aspekte për të thënë se Silvinjo doli fitues ndaj trajnerit rival në aspektin profesional.

SULMI

Sulmi më i mirë është kur di si të mbrohesh dhe në të njëjtën kohë të sulmosh duke shfrytëzuar hapësirat që krijohen, pra kapja në befasi të kundërshtarit. Taktikisht, një mënyrë loje e tillë i dha mundësi ekipit tonë që të dilte me zgjuarsi dhe të rrezikonte në pjesën e parë në tri-katër raste si me Asanin, Bajramin dhe Cikalleshin.

Një dukuri shumë pozitive në disa prej këtyre ndeshjeve që ka zhvilluar ekipi kombëtar është aplikimi i gjuajtjeve nga distanca, ku dallohen Asllani, Asani dhe Bajrami, duke i dhënë një epërsi psikologjike skuadrës. Një gjë e tillë tregon forcën dhe pjekurinë e skuadrës, por edhe të lojtarëve që i zotërojnë këto cilësi.

Nuk është vështirë sot të jesh lojtar, por është shumë e vështirë të bëhesh i nivelit të tillë që të jesh i dobishëm për ekipin kombëtar. Pse e them këtë? Sepse është një aspekt premtues për të ardhmen, pra pjesëmarrjen në Europian. Kjo tregon rritje, tregon që përgjegjësia individuale dhe kolektive ka bërë ndryshime të mëdha.

Është motivimi dhe krijimi i një mentaliteti profesional. Besueshmëria reciproke trajnerstaf teknik dhe lojtarë të ekipit kombëtar. Ky binom po rritet në të gjitha aspektet dhe prandaj sportdashësit dhe gjithë opinioni krenohen me Kombëtaren tonë. Mbi këtë bazë suksesi është i arritshëm dhe objektivat janë reale.