Gjatë periudhës Prill-Qershor të këtij viti, bankat në vendin tonë kanë shtrënguar kushtet dhe termat e përgjithshme mbi kreditë e reja për bizneset. Kjo evidentohet në raportin e fundit nga Banka e Shqipërisë, sipas të cilës këto masa kanë ardhur në formën e rritjes së kërkesave mbi komisionet dhe marzhet veçanërisht për kreditë me rrezik më të lartë sesa niveli mesatar, si dhe nëpërmjet rritjes së vlerës së kërkuar të kolateralit dhe uljes së madhësisë së kredisë.
Po sipas raportit të Bankës së Shqipërisë, në 6-mujorin e parë të vitit bankat kanë raportuar përkatësisht luhatje të normës së refuzimit të aplikimeve për kredi nga bizneset. Rritja e normës së refuzimit ose rënia në shkallën e miratimit të kredive gjatë tremujorit të dytë është përcaktuar nga pothuajse të gjithë faktorët e konsideruar nga bankat si të ardhurat nga ushtrimi i aktivitetit dhe kursimet e bizneseve apo nga mungesa ose papërshtatshmëria e kolateralit. Nga ana tjetër gjatë periudhës Janar-Qershor 2023, kredia për individët ka ngadalësuar disi ritmin e lartë të rritjes, duke u ngjitur në 260 miliardë lekë në fund të muajit Qershor nënvizon Banka Qendrore.
Kontributin kryesor në rritjen vjetore të kredisë për individët e dha zgjerimi me rreth 8% i tepricës së kredisë së marrë për blerje banesash, ndërkohë që kredia për konsum u zgjerua me 7% në terma vjetorë. Rritja e fortë e kredisë së marrë nga individët për blerje banesash përballë një zgjerimi më modest në kreditë e tjera për individët ka rezultuar në një rritje të peshës së kredisë për banesa në 67% të kredisë së përgjithshme për individët, nga 62% që ishte në mes të vitit 2019.