Në fund të muajit Gusht të këtij viti portofoli i kredisë për blerjen e pasurive të paluajtshme nga individët arriti në vlerën e rreth 176 miliardë Lekëve ose rreth 1.66 miliardë Euro. Këto të dhëna janë tek analizat e Bankës së Shqipërisë, ku krahasuar me një vit më parë, vlera e portofolit të kredisë për shtëpi është rritur me 8.7%.

Ndërsa për periudhën 8-mujore të vitit, vlera e kredisë për shtëpi arriti në mbi 30.9 miliardë Lekë. Banka e Shqipërisë vlerëson në tre vitet e fundit numri i kredive për shtëpi është rritur me 19% dhe bazuar në raportet e këtij institucioni financiar rreth 4.7% e familjeve shqiptare kanë një kredi për shtëpi. Gjithashtu bazuar në vrojtimet e Bankës së Shqipërisë rezulton se rreth 40% e blerjeve në tregun e pronave financohen me kredi bankare.

Banka e Shqipërisë e ka rritur vetëm njëherë normën bazë të interesit gjatë 2023 dhe aktualisht vijon të qëndroje në nivelin 3%, çka ka reflektuar norma më të ulëta interesi në produktet e tregut financiar. Shifrat e këtij viti të Bankës Qendrore tregojnë se në përgjithësi normat e interesit për këtë produkt kanë ndjekur një tendencë rënëse, pas rritjes së shpejtë në gjysmën e dytë të vitit 2022.

Nga ana tjetër raporti i kredive me probleme për shtëpi është ndjeshëm më i ulët krahasuar me portofolin total të kredisë të sektorit bankar dhe në mesin e këtij viti, raporti i këtyre kredive për të gjithë portofolin ishte 5.2%.