Viti i ri akademik ka nisur, por maturantët që ende nuk janë regjistruar kanë mundësi të bëjnë zgjedhjen e tyre.

Faza e lirë e regjistrimeve në universitetet e vendit ka nisur në datën 4 tetor dhe vijon deri në datën 10. Përgjatë këtyre ditëve, maturantët kanë mundësi të paraqiten fizikisht pranë fakulteteve për të bërë regjistrimin në programet ku ka ende kuota të lira, por me kusht të kenë bërë më herët aplikimin në portalin e-Albania.

“Kuota të lira ka mjaftueshëm, por kemi dhe numër të lartë të kërkesës, mbi 4000 maturantë. Së paku numri i maturantëve që janë regjistruar vitin e kaluar mund të arrihet dhe të tejkalohet.“, tha Arjan Xhelaj, kreu i Rrjetit Akademik Shqiptar.

Këtë vit akademik universiteti Bujqësor ka pasur një rritje të numrit të regjistrimeve krahasuar me vitin e kaluar. Ky universitet ka edhe numrin më të madh të degëve me prioritet kombëtar, ku studentët përjashtohen nga tarifa dhe përfitojnë bursë sa paga minimale.

“Udhëheq universiteti i Tiranës si më i madhi në vend me 3000 maturantë të regjistruar, më pas mjekësia dhe Politekniku me nga 1500. Ndjekur nga universiteti Bujqësor që ka një ecuri të mirë këtë vit, më shumë regjistrime se viti i kaluar dhe nuk besoj të ketë degë të rrezikuara. Në rajonalet udhëheq Durrësi, i ndjekur nga ai Elbasanit dhe Shkodrës.“, shtoi ai.

Më të preferuar për këtë vit akademik ishin programet e shkencave mjekësore dhe informatikës. Ndërsa interes më të ulët maturantët kanë treguar për degët si matematika, fizika, filozofia dhe arkeologjia.