Nga Lirim Mehmetaj/

Të enjten e 26 tetorit në Bruksel Kosova e ka pranuar draftin e propozuar nga Bashkësia Ndërkombëtare dhe përmes një deklarate pas takimit është shprehur e gatshme edhe që ta nënshkruajë pranimin e draftit, derisa presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç në një deklarim para gazetarëve ka thënë se edhe Serbia është pro atij drafti të propozuar nga pesëshja e top-diplomatëve që vizituan Prishtinën dhe Beogradin me 21 tetor. Në njoftimin e Qeverisë së Kosovës pas takimit me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz dhe kryeministren italiane, Giorgia Meloni, konstatohet se Kurti ka deklaruar që “pikërisht Samiti i Këshillit Evropian në Bruksel është ngjarja e duhur, në vendin e duhur për nënshkrim të Marrëveshjes Bazike, përfshirë edhe draftin e ofruar nga BE-ja dhe ShBA-të për zbatimin e nenit 7 në ndërlidhje të nenit 10 të Marrëveshjes Bazike”.

Neni 7 i Marrëveshjes Bazike të pranuar me 27 shkurt thotë se Kosova dhe Serbia “pajtohen që të sigurojnë një nivel të përshtatshëm të vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë… përfshirë edhe financim nga Serbia dhe kanal direkt komunikimi me Qeverinë e Kosovës”. Kurse neni 10 i Marrëveshjes thotë se “të dyja palët konfirmojnë zbatimin e obligimeve nga Marrëveshjet e kaluara të dialogut”, që nënkupton zbatimin edhe të Marrëveshjes së vitit 2013 ku shpaloset për herë të parë Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe. Ndërsa Vuçiç u kumtoi gazetarëve pas takimit se për statutin e Asociacionit të propozuar nga bashkësia ndërkombëtare me 21 tetor “Serbia është e gatshme të punojë në të dhe të fillojë menjëherë zbatimin e tij”. Përkundër se drafti i statutit nuk është bërë akoma publik zyrtarisht, 26 tetori shënon herën e parë që Kosova dhe Serbia janë në pajtim për të njëjtin draft për Asociacionin.

Pas takimit pati një adresim edhe nga Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, i cili njoftoi se palëve iu prezantua “një model serioz evropian për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe” dhe një plan për avancimin përpara. Palët, siç tha Borrell, kanë pasur parakushte për planin përpara, “por ne do të insistojmë në një pajtim”. Ndryshe nga herë të tjera kur Kurti e Vuçiç udhëtonin drejt Brukselit për takime të nivelit të lartë në kuadër të dialogut, takimet të së enjtes ishin biseda që po zhvilloheshin në margjinat e Samitit të BE-së ku të gjithë liderët evropianë mblidhen për të diskutuar çështjet e rëndësishme të Unionit. Samiti që po vazhdon edhe të premten, një nga temat e diskutimit do ta ketë edhe situatën në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Por, 26 tetori, siç e tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, para se të fillonin bisedimet në tryezën ovale të dy liderëve ballkanikë përballë atyre të BE-së, nuk mëtonte një pajtim përfundimtar, por vetëm diskutim mbi dinamikën e zbatimit të Marrëveshjes Bazë rreth normalizimit të marrëdhënieve dhe deklarimin mbi “planin e ri evropian”. Në takimet e djeshme nuk u nënshkrua asnjë dokument, sepse as nuk është prezantuar ndonjë marrëveshje e re për nënshkrim. As në të kaluarën nuk janë nënshkruar dokumentet e Marrëveshjes për Shtegun drejt Normalizimit të Marrëdhënieve Kosovë – Serbi, apo siç njihet Marrëveshja Bazë dhe as aneksimi i kësaj marrëveshje për të cilin u arrit pajtim në Ohër me 18 mars. Mos-nënshkrimi i këtyre dy marrëveshjeve atëherë nuk ka paraqitur problem që ato të prezantohen në faqen zyrtare të Bashkimit Evropian si marrëveshje të arritura.

Gjithashtu, të njëjtat, si suksese të Kosovës në dialog, i pati prezantuar edhe Albin Kurti para deputetëve në Kuvendin e Kosovës. “Ishte më e mira që mund të merrnim”, pati deklaruar Kurti atëherë duke e prezantuar në dritë pozitive akordin e tij me Bashkimin Evropian dhe Serbinë. Pas takimit, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, gazetarëve iu tha se Serbia nuk e pranon pavarësinë e Kosovës dhe as nuk pranon anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. I gjetur në prag të zgjedhjeve potenciale në dhjetor, Vuçiç fliste për çfarë nuk pranon më shumë se për çfarë ka pranuar.

“Rezerva e vetme e Beogradit ka të bëjë me anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe pavarësinë e Kosovës”, potencoi para gazetarëve. Por, kur të lexohet Marrëveshja Bazë e akorduar me 27 shkurt, aty në asnjë nen nuk kërkohet njohja e “pavarësisë së Kosovës”. Madje kjo ishte kritika kryesore e opozitës në Kosovë për Kurtin që ka pranuar marrëveshje e cila as nuk është finale dhe as nuk e ka njohjen reciproke brenda. Gjithsesi, marrëveshja përmban disa nene të rëndësishme që është interpretuar se Kosovës ia japin njohjen de facto nga Serbia, pa pasur nevojë të bëhet pranimi formal i shtetit të Kosovës. Për shembull, në nenin dy të Marrëveshjes Bazike thuhet se “të dyja palët do të udhëhiqen nga qëllimet dhe parimet e përcaktuara në Kartën e Kombeve të Bashkuara, veçanërisht ato të barazisë sovrane të të gjitha shteteve, respektimit të pavarësisë, autonomisë dhe integritetit territorial të tyre, të drejtën e vetëvendosjes, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe mosdiskriminimi”.

Thuhet edhe se “palët do të zhvillojnë raporte normale të fqinjësisë së mirë me njëri tjetrin dhe në bazë të të drejtave të barabarta”. Në të njëjtin nen ceket që do të ketë “njohje të ndërsjellë të dokumenteve dhe simboleve nacionale, duke përfshirë pasaportat, diplomat, tabelat e makinave dhe vulat doganore”. Një nga pikat thekson po ashtu se “Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare”. Kjo, bazuar në Marrëveshjen Bazike në mes të dy-Gjermanive, është konsideruar si njohje de facto e Kosovës nga Serbia. Përkundër se komuniteti ndërkombëtar u ka lejuar hapësirë interpretimi Kurtit e Vuçiç-it në ditët në vazhdim do të ketë konkretizime më të mëdha, sic pritet të ndodhë me 10 e 11 nëntor në Forumin e Paqes në Paris.

Forumi i parvjetshëm adreson nevojat e bashkëpunimit të shteteve për çështje të ndërvarura, duke theksuar mungesën e aksionit të përbashkët në kohëra të turbulencave ndërkombëtare, por këtë radhë, buzë kësaj, rrumbullakson edhe pajtimin dy-palësh Kosovë – Serbi për të vazhduar me zbatimin e pikave të tjera të dala nga Marrëveshja e Brukselit e aneksuar në Ohër. Gjithashtu, nga ky Forum i Paqes, për shkak të akordit të plotë në rrugën përpara, Kosovës do t’i hiqen masat shtrënguese, duke dhënë shenjën kështu të respektimit të kërkesave nga ndërkombëtarët. Pajtimi dhe heqja e sanksioneve ndaj Kosovës në njërën anë, do të përcjellet edhe me zhvillime të tjera, si kthim i serbëve të Kosovës në institucione, të paktën në disa nivele, në mënyrë që të mundësohet shpallja e zgjedhjeve. Nga ajo që ka kuptuar Albanian Post, takime do të ketë edhe në Shqipëri, si një nga shtetet që e ka ndihmuar progresimin drejt pajtimit deri në zbatim të marrëveshjes.

AP gjithashtu ka parë statutin e Asociacionit të propozuar nga ndërkombëtarët dhe ai është shumë i përafërt me atë që ka propozuar kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Statuti i pranuar, të cilin e ka parë AP, ka të adresuara shqetësimet e opinionit të Gjykatës Kushtetuese dhe për t’u hartuar janë konsultuar Marrëveshja e vitit 2013, ajo e vitit 2015, opinioni i Kushtetueses, letra e Kurtit për vizionin e tij për vetë-menaxhimin e publikuar në llogarinë e tij në Facebook me 2 maj të këtij viti dhe disa drafte të tjera të propozuara nga organizata jo qeveritare, sic ishte ai i FES-it. Meqë shqetësimet e Gjykatës Kushtetuese në opinionin për Parimet e Përgjithshme të vitit 2013 ishin se mos Asociacioni merr pushtet nga nivelet tjera siç është Qeveria, apo Komunat, apo se mos përbën një institucion ekskluziv për të mbrojtur dhe promovuar komunitetin serb në Kosovë, atëherë statuti i ri e nxjerr Asociacionin si një institucion të ri publik në Kosovë, por që nuk ia prekë pushtetin as komunave e as Qeverisë, vetëm se angazhohet në zbatimin e detyrave në fusha të caktuara, me theks: arsim dhe shëndetësi.

Është sqaruar po ashtu edhe termi problematik “full overview”, i cili në shqip ishte përkthyer si “vëzhgim” e në serbisht si “auditim”. Në statutin e ri “full overview” nënkupton administrim të Asociacionit në zhvillim ekonomik, shëndetësi, arsim, planifikim urban dhe rural dhe disa fusha të tjera. Asociacioni do të ketë të drejtë të punësojë edhe staf dhe ata do të quhen “shërbyes civilë”. Statuti rregullon edhe pagesën, donacionet dhe shërbime të tjera që Serbia ia ofron direkt Asociacionit. Rregullohet edhe raporti me Qeverinë e Kosovës. Përkundër adresimit të shqetësimeve të Kushtetueses, statuti i ri duhet të validohet nga Gjykata Kushtetuese, ashtu siç ishte paraparë në Marrëveshjen për Parimet të vitit 2015.

I vetmi që është deklaruar më në detaje për statutin është kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca. Në një prononcim për televizionin Klan Kosova, Konjufca e pranoi se “është proces i ndërlikuar të krijohet një institucion që quhet publik dhe merret me çështje që në kuptimin etnik mund të interpretohen si serbe, është problem kjo”. Konjufca konfirmoi se ky do të jetë proces që do zgjasë, “do të jetë më shumë si në Vjenë që ka ndodhur”. Ai tha se kanë kuptuar se “nuk po ka se si të shkëputemi nga një obligim ndërkombëtar që e ka marrë Kosova”. “Tash kemi obligimin e vitit 2013, është marrëveshje ndërkombëtare, e votuar në parlament të Kosovë. Neve nuk na pëlqen, na e kemi kritikuar e kështu me radhë, tash qysh me ia gjetë asaj modusin që edhe mu themelu edhe mos me bë dëme nuk është çështje e lehtë”, përfundoi Konjufca.