Filmi me protagonist kryesor Luiz Ejllin dhe Olta Gixharin u prit mes emocionesh të shumta, ku një numër i madh njerëzish iu bashkuan pritjes në tapetin e kuq, aty ku yjet e kësaj premiere parakaluan njëri pas tjetrit, ndërsa bënë dhe fotografi me fansat e tyre.

Premiera do të vazhdojë të shfaqet edhe në datat 10 dhe 11 tetor dhe biletat mund t’i gjeni pranë pallatit të kongreseve por edhe në films.top-channel.tv.

Në një intervistë ekskluzive për Top Albania Radio, Sara Hoxha ka zbuluar më shumë detaje si aktore dhe emocionet që ndjeu duke qenë se ishte e para gjatë parakalimit në tapetin e kuq.

“Ishte pak presion i lartë, do të doja që të kishin kaluar disa të tjerë dhe njerëzit të ishin lodhur pak por jo më pritën shumë mirë. Nuk e di si është zakonisht, si është ndryshe kështu që u kënaqa”, tha Sara.

Aria në film dhe Sara në jetë, një vajzë e cila ka arritur shumë gjëra dhe vazhdon të tregojë dhe të dëshmojë se nuk është thjesht partnerja e Ledrit siç thuhej në fillim. Si është për të kjo ndjesi ku përveçse fituese e edicionit të parë të “Dancing With The Stars” tani është edhe aktore në filmin “Në Kuadër të Dashurisë”?

“Unë kam qejf të punoj në fusha të ndryshme dhe aktrimi është diçka që unë e kam dashur gjithmonë ta bëj qëkur kam qenë e vogël dhe jam shumë e lumtur që mu dha mundësia dhe të shikoj nëse ia vlej, a bëj si aktore apo jo”, u shpreh ajo.

Çfarë note do t’i vendoste vetes Sara Hoxha për rolin e saj në film?

“Nuk e di, nuk e kam parë filmin. Është surprizë edhe për mua”, tha Sara.