Izraeli ka njoftuar sot se do të përdorë të gjithë arsenalin e tij ushtarak, që përfshin mijëra tanke, avionë luftarakë dhe 173.000 trupa për të zhdukur Hamasin, një javë pasi terroristët sulmuan pa mëshirë vendin duke vrarë më shumë se 1300 civilë.
Që pas së shtunës, forcat izraelite kanë përdorur forcën e tyre ajrore prej 600 avionësh dhe artilerinë me 300 raketahedhës për të goditur pamëshirshëm Rripin e Gazës, duke shkatërruar mijëra objektiva që i përkisnin Hamasit dhe duke vrarë 1530 palestinezë.
Por, urdhri për evakuimin e 1.1 milionë palestinezëve nga veriu në jugun e Gazës brenda 24 orëve, tregon se sulmi i pamëshirshëm që ka parë deri më tani shpërthimin e 4000 tonëve eksploziv nuk do të ndalet me kaq.
Në orët në vijim pritet që 173.000 ushtarët e Izraelit, të mbështetur nga 300.000 rezervistë që janë mbledhur nga i gjithë vendi, do të luftojnë për mundësinë për të shfarrosur njëherë e mirë Hamasin, siç ka kërkuar kryeministri Benjamin Netanjahu.
Kjo forcë e madhe, së bashku me 300 tanke ushtarake, përfshirë obusët vetëlëvizës, tashmë janë në kufirin e Rripit të Gazës.
Fuqia ushtarake e Izraelit është shumë më e madhe se ajo e terroristëve të Hamasit dhe këtë e tregon fakti se që nga e shtuna, mbi 6000 raketa janë lëshuar nga Izraeli drejt Gazës, ndërsa Hamasi posedon vetëm 10.000 raketa që janë ndërtuar në fshehtësi.
Izraeli po tërheq gjithashtu forcat e tij speciale nga njësia elitare Sayeret Matkal për të luftuar kundër Hamasit. Besohet se ata do të synojnë të eliminojnë në veçanti luftëtarë të rangut të lartë të Hamasit dhe gjithashtu të shpëtojnë qindra izraelitë që janë marrë peng. Forcat e Mbrojtjes të Izraelit kanë thënë se duan të shembin plotësisht pushtetin e Hamasit, që synon të qeverisë në Palestinë.
Sakaq, deri më tani, sulmet ajrore izraelite kanë rrafshuar pjesën më të madhe të qytetit të Beit Hanoun në cepin verilindor të enklavës palestineze, të cilin terroristët e Hamasit e kishin përdorur si terren për sulmet e tyre dhe kanë vrarë 1530 palestinezë.