Në Londër, ministri anglez i drejtësisë Alex Chalk dhe ai shqiptar Ulsi Manja firmosën marrëveshjen për transferimin e të burgosurve shqiptarë për vijimin e vuajtjes së dënimit në burgjet shqiptare.
Ministri Ulsi Manja thotë se qëllimi kryesor i marrëveshjes është rehabilitimi social i të dënuarve shqiptarë në Britani, duke i krijuar mundësinë e vuajtjes së pjesës së mbetur të dënimit në atdhe, pranë nënave, fëmijëve, bashkëshorteve dhe familjeve të tyre.
Kjo do të këtë zero kosto për shtetin shqiptarë pasi në marrëveshje parashikohet se çdo ditë burg e të transferuarve nga burgjet britanike do ta paguaj pala angleze.
Përllogaritet se në afatin dy vjeçar të kësaj marrëveshje pala britanike do të paguajë 20 milion stërlina.
Parashikohet transferimi i të gjithë atyre shqiptarëve që kanë për të vuajtur më shumë se katër vite burg.
Gazetari Top Channel Muhamed Veliu raporton se se deri më tani kanë aplikuar për tu transferuar 48 të burgosur shqiptarë.
Ministria e Drejtësisë i ka kaluar vendimet e gjykatave Angleze për këto 48 aplikantë, prokurorisë së përgjithshme e cila do tija dërgojë për njohjen e dënimit gjykatave në qytetet ku ata kanë lindur.
Parashikohet se me këtë marrëveshje me afat kohor dy vjeçar të transferohen 200 shtetas shqiptarë mes tyre 17 të burgosur me burgime të përjetshme për vrasje.
Pjesa tjetër janë shqiptarë që vuajnë dënime mbi 4 vjet për trafik kokaine. Marrveshja e nënshkruar në Londër mes dy ministrave të drejtësisë parashikon edhe përmirësimin e kapaciteteve transportuese të Drejtorisë së Përgjithshme të burgjeve.
Në ditët në vijim pala angleze do të sjellë 22 automjete të tipit minibus për transportin e punonjësve të policisë së burgjeve.