Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç ka thënë se nuk ka rrezik real që të vendosen masa ndëshkuese ndaj Serbisë, të cilat sipas informacioneve jozyrtare, po i kërkojnë shtatë shtete të Bashkimit Evropian pas sulmit terrorist në fshatin Banjskë të Zveçanit ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

“Nuk ka pasur mbledhje ku janë votuar dhe janë marrë vendime, ka pasur mbledhje komisionesh ku janë përmendur gjëra të tilla në diskutime, por nuk ka pasur asnjë deklaratë zyrtare për këtë, as nuk ka qenë nismë zyrtare”, tha Daçiç për televizionin Prva në Serbi.

Ai ka komentuar dhe videon e publikuar nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ku shihet krimineli Milan Radoiçiç në Banjskë, gjë të cilën e mohoi pak ditë më parë.

“Dikush më tha se ishte një video më e vjetër, nuk e kontrollova. Gabimi im. Nuk kam dashur ta shfajësoj Radoiçiçin”, shtoi kryediplomati serb.