Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, është nderuar nga Instituti i Teknologjisë i Masaçusets (MIT) në USA, me certifikatën “MIT Professional Education” për kursin intesiv mbi të ardhmen e ekonomisë qarkulluese, tranzicionit dhe qëndrueshmërisë.

Ministrja Denaj, në një postim në rrjete sociale, shprehu falenderim të veçantë për vlerësimin me certifikatën “MIT Professional Education”, teksa vuri në dukje se, “mundësia për të ndjekur këtë kurs, ishte një sfidë akademike pasi “gjuha e re” e ekonomisë qarkulluese përfshinte fusha që nuk i njihja më parë, menaxhim mbetjesh, riciklim, riperdorimi etj”.

“Sot vetëm 7% e ekonomisë botërore është transformuar nga lineare në qarkulluese. Kemi ende shumë punë të gjithë për edukim në lidhje me ripërdorimin dhe riciklimin dhe mbi të gjitha me nevojen për të ruajtur kapitalin natyror për brezat që vijnë”, tha Denaj.

Ministrja theksoi se, “perspektiva e zhvillimit të qëndrueshëm të së ardhmes dhe horizontet e reja, do ta ndihmojnë shumë në fushën ku po kontribuon aktualisht, pasi zhvillimi i bujqësisë në dritën e synimeve të qëndrueshmërisë, do të jetë në fokus të politikave zhvilluese”.

Denaj shprehu një falënderim i veçantë për Kuvendin e Shqipërisë, për nderin për të qenë kryetare e komitetit të SDG dhe mundësinë për të ndjekur këtë kurs.

“”MIT Professional Education”, e rekomanduar jo vetëm si strukturë perfekte mësimnxënie, por edhe për metodologjinë dhe lehtësimin e kursit nga abstrakt në konkret me shumë raste studimore dhe shembuj të ekonomisë botërore të kthyer tashmë në qarkulluese.

Falenderuese për të gjithë profesorët, në veçanti Caio Porciúncula, që na solli teorinë në jetë, si dhe kolegëve Heinke Schoger, Pia Panero, MBA Manuel Gerstner, Valentina Muñoz, Nicole Oess, Francisco Olivera, Whyte Laurent Perrinjaquet Rid Raheem, Susanne Lettau. Krijuam një miqësi me kolegët, me të cilët shpresoj të mbetem në kontakt dhe të ndjek punën e madhe në ndarjen e vullnetit dhe dëshirës për ta bërë kapitalin natyror të kësaj bote të vlejë për shumë breza për të jetuar”, deklaroi ministria Denaj.

Instituti i Teknologjisë i Masaçusets (MIT) është një nga universitetet më të njohur në botë që operon në fushën e hulumtimit dhe kërkimit shkencor. I themeluar në vitin 1861, MIT ka luajtur një rol të rëndësishëm në zhvillimin e shumë fushave të teknologjisë dhe shkencës ekonomike moderne.