Mero Baze
Duke lexuar sot raportin e OSBE/ODIHR, sipas dëshirës së tij, në fakt Sali Berisha ka shfaqur për herë të parë zyrtarisht dorëzimin e tij për të vazhduar betejën më tej me Edi Ramën. Edhe pse e ka thënë shumë herë në të shkuarën, gati për çdo kryeministër kundërshtar, sot e tha në mënyrë zyrtare se me Edi Ramën nuk fitojnë dot më zgjedhje.

Kjo deklaratë zyrtare e tij ka të mirat dhe të këqijat e saj për ndjekësit e tij.

E mira e kësaj është se tani ata e kanë të ndarë mendjen që nuk fitojnë dot zgjedhjet duke pasur në krye Berishën përballë Ramës, pasi vet Berisha e pranon që me atë nuk i fiton dot zgjedhjet.

Arsyet që u jep atyre, që nga blerja e votës së individit, blerja e popullit, blerja e ndërkombëtarëve, dhe në fund dhe blerja e Lulit, e bëjnë dhe më të errët tablonë për ta.

Pra i bind ata më shumë se ai nuk e mund dot Edi Ramën dhe me këtë rast, ata që do vazhdojnë të qëndrojnë me Berishën, janë opozitarë të qartë, që nuk duan fitore, por duan të jenë në opozitë. Pasi siç ka thënë dhe Dash Shehi, ka dhe njerëz që kandidojnë të jenë në opozitë.

Po ashtu, një tjetër anë e mirë e kësaj deklarate zyrtare, është se askush nuk ka më pritshmëri për të fituar Berisha, por janë me sytë nga qielli mos i ndodh gjë Ramës. Dhe kjo nuk është pak. Sa do rrojë ai, një ditë do të iki si gjithë të gjallët.

Ana negative e këtij procesi është që nuk deklaron dot bojkot të zgjedhjeve, që do të ishte normale. Nuk e deklaron dot, jo aq nga përvoja e vitit 2019, por më shumë nga fakti që çdo bojkot zgjedhjesh nga Berisha e lë vetëm Berishën.

Është e qartë që Ilir Meta dhe Lulzim Basha mezi presin që Berisha të bojkotojë zgjedhjet dhe ata mbushin boshllëkun e tij, duke e zhdukur dhe “de jure” nga harta opozitare.

Për këtë arsye qëndrimi i sotëm zyrtar i Berishës ndaj të ardhmes së zgjedhjeve me Ramën vetëm sa rrit dëshpërimin e demokratëve që e mbështesin dhe i përgatit ata për humbje.

Natyrisht ka një opsion që mund të ngjallë shpresë dhe ai është largimi i Berishës, dhe përballja e një lideri të ri me Ramën. Por Berisha nuk është gati për këtë, por as të mundë Edi Ramën.

E vetmja arritje që ka bërë, ështe sqarimi paraprak, që mos prisni prej tij të mundë Ramën. Ndaj mos guxoni ta akuzoni pas zgjedhjeve.