Nga Alba Malltezi/
Me siguri, shumë në Tiranë dhe në Shqipëri e dinë historinë magjepëse të restaurimit të lokomotivës historike të hekurudhës shqiptare, e cila “mbretëron” sot në Bulevardin e ri në Tiranë. Unë jo. E mësova në emisionin “Esencë” të Eljan Taninit në Report.
Tre vëllezërit e klubit të mirënjohur “Hemingway” e shpëtuan nga fati i simotrave të saj për skrap dhe me një punë të jashtëzakonshme, private dhe personale, ja kanë dhuruar qytetit me gjithë bukurinë dhe historinë e saj të rrallë. Që në korrik 2018!
Blendi Sukajt, një prej vëllezërve të “Hemingway”, gjatë intervistës me Taninin, sytë i shkëlqejnë me atë dritën që e kanë të veçantë njerëzit e pushtuar nga një dashuri për punën që bëjnë. Lokomotiva, ose “Ulkonja”, siç e thërrisnin punonjësit e hekurudhës për ulërimën e saj të veçantë, nga e mbuluar me ndryshk, bimë, pluhur, sot qëndron me pamje drejt Lindjes, si një ogur i mirë për qytetin e Tiranës dhe për gjithë vendin. Sepse, ajo për të cilën ka më shumë nevojë Shqipëria, është pikërisht kjo: Të gjejë mes vetes djemtë dhe vajzat e saj më të mirë që ta shpëtojnë, që ta duan, që ta restaurojnë, t’ia nxjerrin në pah bukuritë dhe vlerat e jashtëzakonshme, që disa të tjerë ia çuan pa asnjë mëdyshje, për skrap.
E tha dhe një nga restauruesit më të mirë që na kanë mbetur, Frederik Stamati: “Kam shëtitur nëpër ministri e kam takuar drejtorë e ministra për të restauruar dhe për të shpëtuar nga skrapi vagonë e lokomotiva që sot nuk janë më”. Kuptohet sfilitja e njërëzve që kanë dashuri për copëza të jetës dhe historisë sonë, përkundër atyre që me një firmë i shkatërrojnë.
Kam parë dhe sfilitjen e Carlo Bollinos nëpër institucione e magazina për të shpëtuar edhe ai copëza historie të destinuara për skrap, me qëllimin e vendosjes së tyre në muzeumet Bunk’Art, por shpesh pasioni i këtyre njerëzve nuk ishte i mjaftueshëm për të ndalur nxitimin e të tjerëve për të dalluar tek historia dhe jeta jonë vetëm ca hekurishte pa vlerë.
Nëse ju ka qëlluar të shihni ndonjëherë një hartë termike të një qyteti, ku në vendet që ka pemë, ngjyra e hartës është më pak e kuqe se nga vendet e tjera me beton për shkak të oksigjenit të lëshuar, ashtu duket nga lart edhe një vend ku njerëzit punojnë dhe mendojnë për ta bërë sa më të bukur një qytet. Me siguri, nëse shohim nga lart jetën, kulturën, kreativitetin, që jep për Tiranën “Hemingway” dhe djemtë e vajzat e tij, do të dukej një vend plot pasion, oksigjen, freski e mbarësi. E dija që bëjnë një “SwingMarathon” magjike me veshje e muzikë të viteve ’30 në ato vagona të mbetur të trenit Tiranë-Shkodër; e di që bëjnë një “Jazz Fest” për t’u pasur zili nga gjithë jazz-istët kudo janë, por historia e restaurimit të lokomotivës me avull, e “ulkonjës” së hekurudhës shqiptare dhe dhurata e saj për qytetin, është një nga ato veprime që i bën sa të mëdhenj, aq të supërvlefshëm për Tiranën dhe vendin. Njësoj, të ngjashëm dhe unikë njëkohësisht, me të tjerë djem e vajza shqiptare që nga Veriu në Jug po rithurin me durim e pasion, autencititetin e Shqipërisë. Ndërsa gazetarëve iu takon t’i vendosin në piedestal këta njerëz dhe historitë e tyre.