Danny Makkelie, 40-vjeçari holandez me profesion polic, nuk toleron protestat, është zgjedhur nga UEFA për të arbitruar sfidën vendimtare Shqipëri-Republikë Çeke, që do luhet të enjten në “Arenën Kombëtare”.

Duke parë rëndësinë e ndeshjes, ku dy skuadrat kërkojnë të marrin fitoren, UEFA ka menduar të sjellë një emër të të gjithë respektit në arbitrim. E megjithë prestigjin që ka, Makkelie nuk është fare tolerant.

Në vitin 2014, në një ndeshje të kampionatit holandez mes Den Hag dhe Feyenoord, Makkelie tregoi 13 kartonë, një rekord absolut që edhe sot e kësaj dite ende nuk është thyer. Nëse dikush mund ta konsiderojë rastësi, atëherë vjen e dhëna tjetër. Në Euro 2020, Danny Makkelie ka arbitruar 4 ndeshje, me 14 kartonë të verdhë në total.

Danny Makkelie nuk është një emër i panjohur për Shqipërinë. Më datë 5 shtator të vitit 2021, në kualifikueset e Kupës së Botës, holandezi arbitroi ndeshjen mes Shqipërisë dhe Hungarisë. Sfida përfundoi 1-0 me golin e Armando Brojës. Asistentët e tij do të jenë Hessel Steegstra dhe Jan de Vries nga Holanda.