Shqipëria që prej së shtunës zien nga lajmi për Sali Berishën dhe dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi. Vetëm në një vend ka pllakosur heshtja e plotë, si të mos ketë ndodhur gjë fare. Është selia e ish-LSI, sot Partia e Lirisë.
Nga kjo parti nuk ka asnjë deklaratë zyrtare për rastin në fjalë, as si mbështetje ndaj Berishës, as si akuzë ndaj SPAK. Ilir Meta, postoi dy rreshta në Facebook-n e tij, dhe që prej atëhere e ka qepur gojnë. Po ashtu edhe gruaja e tij Monika Kryemadhi, e cila ka mbi një muaj që nuk jep asnjë deklaratë apo të shfaqet në publik. Duket se e kanë lënë vetëm aleatin e tyre kryesor, përballë drejtësisë.
Jo se nuk duan t’i gjenden pranë, por në këtë rast, nuk e ndihmojnë dot. Dhe po heshtin, se ndoshta kështu nuk kujtohet njeri për ta dhe harrohen dosjet e tyre. Ose po përgatiten për ditën e qametit, kur t’ju trokasë në derë dhe nuk duan të konsumohen me mbrojtjen e Berishës. Fundja dhe të duan, e dinë që kjo është kauzë e humbur dhe veçse dëmtohen, nëse shfaqen krah Berishës. Ndaj dhe po heshtin. Derisa t’ju trokasin në derë.