Një 55-vjeçare ka gjetur vdekjen në aksin rrugor Peqin-Elbasan pranë fshatit Papër në rrethana ende të paqarta.

Merushe Gjuzi udhëtonte së bashku me një shoqen e saj drejt Elbasanit kur në një moment dyshohet se ka hapur derën e furgonit dhe është hedhur duke gjetur vdekjen e menjëherëshme.

Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, ndërsa po hetohen dy pista, vetëvrasja dhe nëse 55-vjeçaren e kanë hedhur nga mjeti me të cilin udhëtonte. Shoqja e viktimës Merushe Gjuzi me të cilën udhëtonte këtë mëngjes tha se 55-vjeçarja kishte debatuar me bashkëshortin dhe pas sherrit mund ta ketë ndërmarrë aktin e rëndë.

Shoferi i furgonit me të cilin udhëtonte viktima është shoqëruar në komisariat.

“Rreth orës 09:00, në aksin rrugor Peqin-Elbasan, në fshatin Papër, shtetasja M. Gj., rreth 50 vjeçe, ndërkohë që udhëtonte në automjetin furgon që drejtohej nga shtetasi S. T., 30 vjeç, dyshohet se ka hapur derën e pasme të furgonit dhe është vetëhedhur. Si pasojë e dëmtimeve, shtetasja M. Gj. ka humbur jetën. Drejtuesi i furgonit, shtetasi S. T., po shoqërohet në Komisariat, për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.Shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje”, sipas policisë.