Presidenti francez, Emmanuel Macron do të mbajë vizitën e parë dypalëshe të një presidenti francez në Shqipëri më 16 dhe 17 tetor, pas një samiti për Ballkanin Perëndimor, njoftoi sot pallati presidencial, Elysée.

Samiti i ashtuquajtur Procesi i Berlinit, i nisur në vitin 2014 me iniciativën e ish-kancelares gjermane Angela Merkel, synon të promovojë dialogun politik, bashkëpunimin dhe pajtimin midis gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Në Tiranë, ai do të fokusohet veçanërisht në tensionet e ripërtëritura midis Serbisë dhe Kosovës, skenën e 24 shtatorit të përleshjeve të dhunshme mes policisë dhe një komandoje paraushtarake të armatosur rëndë, të përbërë nga serbët e Kosovës.

Emmanuel Macron takoi sot, në kuadër të një samiti evropian në Granada (Spanjë), presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe atë të Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Ai u bëri thirrje atyre që të ”vazhdojnë shpërshkallëzimin dhe organizimin e shpejtë të zgjedhjeve të reja në veri të Kosovës”, një zonë me shumicë serbe, e tronditur rregullisht nga tensionet.

Përveç vendeve të rajonit, në Procesin e Berlinit janë përfshirë edhe nëntë shtete anëtare të Bashkimit Evropian (Austria, Bullgaria, Kroacia, Franca, Gjermania, Greqia, Italia, Sllovenia dhe Polonia) si dhe Mbretëria e Bashkuar.

Në fund të samitit, Macron do të nisë një vizitë dypalëshe duke vënë në pah ”dinamikën shumë pozitive të marrëdhënieve franko-shqiptare”.

”Do të jetë një çështje e bashkëpunimit ekonomik, veçanërisht në aspektin e tranzicionit energjetik, por edhe bashkëpunimi kulturor dhe arsimor, veçanërisht i madh midis dy vendeve”, thekson Elysee/ata/