Detaje të reja janë zbuluar nga konflikti i pronësisë mes banorëve dhe përfaqësuesve të Kishës Katolike gjatë ditës së dielë (29 Tetor) në zonën e Kepit të Rodonit, që çoi në arrestimin e 8 personave, mes tyre Mark Frroku.
Personi që ka qëlluar me armë është identifikuar si Besnik Toma dhe raportohet se është shoferi i ish-deputetit.
Gjithashtu, Mark Frroku ka deklaruar se ka edhe lidhje familjare me Besnik Tomen, i cili është në arrati.
“Policia gjeti në vendin e ngjarjes një gëzhojë arme zjarri. Nga veprimet hetimore rezultoi se shtetasi që ka qëlluar me armë zjarri, gjatë konfliktit, është shtetasi B. T.”, raportuan uniformat blu.
Tetë personat e arrestuar janë:
Banorët e zonës: Bajram Kaçuli, Ylli Reka, Erjon Reka dhe Orgito Reka, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “ Vetëgjyqësia”;
Përfaqësuesit e kishës: Mark Frroku, Antonio Lazari, Pal Doda dhe Martin Lazeri, për veprat penale “Kanosja”, “Moskallzimi i krimit”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Prishja e rendit dhe qetësisë publike.
Sherri mes tyre ka nisur gjatë kohës kur përfaqësuesit e kishës katolike po bënin rrethimin e pronës për të cilën kanë certifikatë pronësie.
Por banorët e fshatit Shetaj, nuk i kanë lejuar që të bëjnë këtë rrethim pasi edhe ata kanë një certifikatë pronësie, që pretendojnë se e kanë po për këtë pronë.
Fillimisht ata kanë konfliktuar fizikisht më pas sherri ka agravuar në përdorimin e sendeve të forta dhe armës.
“Konflikti midis këtyre shtetasve ka agravuar me përdorimin e sendeve të forta, pas konfliktit me grushte. Në vendngjarje është gjetur dhe 1 gëzhojë arme zjarri”, raportoi policia.
Njoftimi i policisë:
U konfliktuan me sende të forta me njëri-tjetrin, në kepin e Rodonit, për motive pronësie, arrestohen në flagrancë 8 shtetas (nga të dyja palët në konflikt).
Vijon puna për kapjen e shtetasit që dyshohet se qëlloi me armë zjarri, në ajër, gjatë konfliktit.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Manzë, në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera në drejtimin e Prokurorisë së Durrësit, për konfliktin e ndodhur ditën e djeshme, te kepi i Rodonit, kanë arrestuar në flagrancë shtetasit:
B. K., E. R., O. R. dhe Y. R., për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “ Vetëgjyqësia”;
M. F., A. L., P. D. dhe M. L., për veprat penale “Kanosja”, “Moskallzimi i krimit”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Prishja e rendit dhe qetësisë publike.
Gjithashtu, nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin N. S., për veprën penale “Moskallzimi i krimit”, si dhe vijon puna për kapjen e shtetasit B. T.
Ditën e djeshme, shtetasit B. K., E. R., O. R., Y. R., banorë të fshatit Shetaj, janë konfliktuar me sende të forta me shtetasit N. S., M. F., A. L., P. D. dhe M. L., përfaqësues të kishës françeskane, të cilët po bënin rrethimin e një sipërfaqeje toke në zonë, për të cilën kanë certifikatë pronësie. Si pasojë e konfliktit, shtetasit e përfshirë në konflikt kanë pësuar dëmtime fizike.
Policia gjeti në vendin e ngjarjes një gëzhojë arme zjarri. Nga veprimet hetimore rezultoi se shtetasi që ka qëlluar me armë zjarri, gjatë konfliktit, është shtetasi B. T.
Sqarojmë se në lidhje me pretendimet e palëve për certifikatën e pronësisë, nga ana e Policisë janë referuar disa herë materialet në Prokurori, për konfliktet që ka patur herë pas here, mes palëve.
Në drejtimin e Prokurorisë vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të këtij rasti.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.