Historia e tij fillon si ajo e mijëra shqiptarëve të tjerë që u larguan në Itali për të shpëtuar nga një sistem që nuk po rrëzohej akoma, pavarësisht dëshirës dhe përpjekjeve të tyre. Por më pas mori rrugë siç mund t’u ndodhë vetëm pak vetëve në jetë: U kthye në Shqipëri për të marrë detyrën në majë të pushtetit të Shtetit tashme të lirë e për t’u vlerësuar pastaj edhe nga Italia, atdheu i tij i dytë që 30 vite më parë e priti si një emigrant pa asnjë qindarkë në xhep, veç një mali me ëndrra.

Kjo është historia e parrëfyer asnjëherë më parë e Engjëll Agaçit, avokat në Itali dhe prej 2013 Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave në Shqipëri. Presidenti italian, Sergio Mattarella, e vlerësoi me titullin Kalorës i Meritës i Republikës së Italisë, dekorata më i lartë për italianët. Agaçi bën pjesë në atë grup të dendur qytetarësh, të rritur mes dy brigjeve të Adriatikut, lindur shqiptar e më pas, shndërruar edhe në italian. Një “italianez” identik edhe me shumë italianë të tjerë të shndërruar në shqiptarë.

“Dy nënshtetësi janë një vlerë e shtuar, sepse janë dy identitete që mblidhen, nuk zbriten”, tha ambasadori i Italisë Fabrizio Bucci gjatë ceremonisë së dorëzimit të medaljes.