Presidenti turk Tajip Erdogan njoftoi se po anulonte të gjitha planet e tij për të vizituar Izraelin dhe e quajti Hamasin “një grup çlirimtarësh që mbrojnë tokën e tyre dhe jo një organizatë terroriste”.
Duke reaguar ndaj sulmeve të Izraelit në Gaza, presidenti turk tha:
“I gjithë Perëndimi i është bashkuar Izraelit dhe e sheh Hamasin si një organizatë terroriste. Izrael, Perëndimi mund t’ju detyrohet shumë, por Turqia nuk ju ka borxh asgjë. Izrael, nuk mund të shkosh askund me këtë mentalitet”.
Në fjalimin e tij para grupit parlamentar të partisë së tij, Erdogan vazhdoi të fliste ashpër kundër Izraelit: “Së pari ne e shikuam çështjen palestineze nga një këndvështrim njerëzor. Ne mbrojtëm jetën e njeriut. Që nga 7 tetori, ne dërguam 8 avionë të mbushur me ndihma humanitare për të plotësuar nevojat e banorëve të Gazës. Izraeli po kryen një nga sulmet më të dhunshme në histori kundër popullit të shtypur të Gazës. Gjysma e të vdekurve janë fëmijë, gjysma tjetër janë nënat e tyre dhe pleqtë e familjes. Vetëm kjo mjafton për të treguar se ka pasur një mizori. Nuk mund të gjesh një ushtri tjetër që i vë zjarrin spitaleve, objekteve të kultit dhe tregjeve dhe vazhdon këtë akt çnjerëzor”.