Një avion i “Air Albania”, i linjës Tel Aviv-Tiranë ka evakuuar disa qytetarë shqiptarë nga Izraeli, pas nisjes së sulmeve nga militantët e Hamas. Avioni “Fishta” u nis nga aeroporti “Ben Gurion” i kryeqytetit izraelit në orën 16.00 me orën lokale dhe mbërriti në aeroportin e Rinasit pas orës 18.30. Report Tv ka mësuar së bëhet fjalë për rreth 40 studentë shqiptarë të cilët janë kthyer në Atdhe përmes ‘Air Albania’, e cila e ka kryer këtë shërbim pa asnjë pagesë.

Avioni ishte kontraktuar si charter nga një agjenci turistike izraelite për 180 turistë nga Izraeli që pas 10 ditësh qëndrimi në Shqipëri sot janë kthyer në vendin e tyre. Kthimi i avionit u përdor për të evakuuar 40 studentët e parë falas. Studentët kanë qenë edhe nga Kosova e Maqedonia e Veriut, të ndihmuar nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, dhe Ambasada Shqiptare në Izrael. Pasagjerët janë pritur dhe përshëndetur nga Ministri Igli Hasani.

Ministria e Jashtme bën me dije se në ditët në vijim do të ketë sërish të tjera fluturime të posaçme drejt Tel Aviv, ndërkohë që MEPJ është në koordinim edhe ministritë simotra të vendeve të rajonit për tu ardhur në ndihmë të gjithë qytetarëve që kërkojnë të kthehen në vendet e tyre.

‘Sot në mbrëmje ka mbërritur avioni i parë me qytetarë shqiptarë të cilët kanë kërkuar të largohen nga Izraeli pas shpalljes së gjendjes së luftës. Avioni “Air Albania” me 40 pasagjerë, mes të cilëve edhe shtetas nga vendet e rajonit si Kosovë, Maqedonia e Veriut.’- thuhet në njoftim.

Prej dy ditësh, Izraeli është në flakë nga sulmet e dirigjuara nga militantët e Hamasit nga Palestina. Deri më tani janë mbi 700 izraelitë të vrarë, mbi 2500 të plagosur dhe 100 pengje. Nga ana tjetër nga sulmet hakmarrëse izraelite në Rripin e Gazës raportohet se janë vrarë 413 palestinezë dhe 2300 të plagosur.