Një shpërthim në spitalin arab “Al-Ahli” në Rripin e Gazës, mbrëmjen e së martës, është bërë mollë sherri mes palës izraelite dhe Hamasit. Të paktën 500 njerëz janë vrarë, në shpërthimin i cili u dënua dhe u cilësua si sulm izraelit nga presidenti palestinez Mahmoud Abbas. Ai e cilësoi shënjestrimin e spitalit në Gaza si një “masakër të shëmtuar lufte” që nuk mund të tolerohet.
Ushtria e Izraelit, ka thënë se shpërthimi në spital u shkaktua nga raketat e militantëve. Në anën tjetër Xhihadi Islamik Palestinez ka mohuar se raketa e saj është përgjegjëse për shpërthimin. E kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se “terroristët barbarë” janë përgjegjës për sulmin në spitalin në Gaza.
“E gjithë bota duhet ta dijë – ishin terroristët barbarë në Gaza ata që sulmuan spitalin në Gaza, dhe jo Forcat e Mbrojtjes të Izraelit”, ka thënë Netanyahu.
Ismail Haniyeh, që gjerësisht njihet si lider i Hamasit, përgjegjëse për sulmin ka fajësuar SHBA-në, duke thënë se Washingtoni i ka dhënë Izraelit “mbulesë për agresionin”.
Ndaj sulmit ka reaguar edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë. Kreu i OBSH-së, Tedros Ghebreyesus, bëri thirrje për mbrojtje të civilëve dhe stafit mjekësor.
Edhe Izraeli, edhe zyrtarët e Gazës kanë paraqitur provat e tyre mbi sulmin.
Dëshmitë nga Spitali Ahli, tregonin për një top zjarri që shpërtheu nga karburanti i raketës dhe jo ndonjë municion izraelit, ka thënë admirali izraelit Daniel Hagari. Ndërsa zyrtarët në Gaza kanë thënë të mërkurën, se spitali Al-Ahli, që u shkatërrua të martën në mbrëmje, ishte dëmtuar nga dy predha izraelite katër ditë më parë dhe se pas sulmit të parë Forcat Mbrojtëse të Izraelit e kishin paralajmëruar menaxhmentin e spitalit që të evakuonte stafin mjekësor dhe pacientët.
Pas shpërthimit shkatërrues në spitalin në Gaza, 22 shtete arabe në Kombet e Bashkuara u bënë bashkë për të kërkuar armëpushim të menjëhershëm në Gazë.
Në shenjë proteste ndaj shpërthimit, Jordania anuloi samitin që ishte planifikuar të mbahej në Aman të mërkurën me presidentin e SHBA-së, Joe Biden, dhe me udhëheqësit egjiptianë dhe palestinezë, për të diskutuar rreth Gazës.
Ndonëse samiti katërpalësh u anulua, Joe Biden e vazhdoi agjendën e tij të planifikuar për në Izrael, ku edhe u takua me presidentit Benjamin Netanyahu. Nga vendi i Lindjes së Mesme, aleat i SHBA-së, Biden tha se sulmi në spital është kryer “nga një palë tjetër” dhe jo nga Izraeli.
“Jam thellësisht i pikëlluar dhe i indinjuar nga shpërthimi në spitalin e Gazës dje. Bazuar në atë që kam parë, duket sikur është bërë nga pala tjetër, jo ju”, është shprehur Biden.
Shpërthimi i spitalit është dënuar në të gjithë botën arabe dhe protesta janë organizuar në ambasadat e Izraelit në Turqi dhe Jordani dhe pranë ambasadës së SHBA-së në Liban, ku forcat e sigurisë kanë gjuajtur gaz lotsjellës drejt demonstruesve.
Të paktën 3.478 palestinezë janë raportuar të vrarë dhe 12 mijë të tjerë të lënduar në Gazë, që nga kundërpërgjigjja e Izraelit që filloi nga e shtuna e 7 tetorit, pas sulmeve të Hamasit ndaj izraelitëve që lanë rreth 1400 të vdekur.