Ekzaktësisht 30 vite më pas, po ndodh ajo që Dante Alighieri do ta kishte përcaktuar si “kundërpesha” (ose ”contrappasso”). Sali Berisha rrezikon sot të përfundojë në burg me të njëjtën akuzë korrupsioni, me të cilën, me 30 qershor 1993, pra 30 vite më parë, ai personalisht arrestoi (pa prova) liderin e opozitës Fatos Nano. Një video e dalë nga arkivat, që ndryshe nga njerëzit nuk harrojnë asgjë, tregon Fatos Nanon me pranga ndërsa ndez një cigare në sallën e gjykatës. Sali Berisha sapo kishte përuruar stinën e arrestimeve politike. Paradoksi sot është se, 30 vite më pas, është Sali Berisha që shtiret si viktimë e një procesi politik dhe bashkë me të dhëndrri, që ka përfunduar në qeli.
Ndryshe nga sa po ndodh sot, kur SPAK që po drejton hetimet nuk merr urdhëra nga qeveria, (ndryshe nuk do të kishte arrestuar disa nga eksponentët më të njohur socialIstë), 30 vite më parë Berisha komandonte prokurorinë dhe gjykatat. Në krye të procesit-farsë që Berisha kishte porositur, ishte një prokuror i ri, Genc Gjokutaj, që sot është avokati mbrojtës i Berishës, duke konfirmuar në këtë mënyrë lidhjet e tyre të vjetra. Sot Genc Gjokutaj proteston duke pretenduar qe GJKKO nuk respekton të drejtat e mbrojtjes të klientit të tij të shquar, ish-kryeministri Sali Berisha. Dhe sigurisht harron që 30 vite më parë ishte ai nga ana tjetër e bankës që nuk mbronte të drejtën e të akuzuarit të tij të shquar, Fatos Nanos, një tjetër ish kryeministër.
Por diferenca më e madhe mes asaj që i ndodhi Fatos Nanos dhe kësaj që po i ndodh sot Sali Berishës, është se 30 vite më parë edhe pse përballë një gjykate me të vërtetë politike, Fatos Nano pranoi çdo vendim dhe nuk bëri kurrë asgjë për të kundërshtuar gjykatësit e tij veç ushtrimit të së drejtës për t’u përpjekur të tregojë me dokumenta pafajësinë e tij. Ndryshe nga ai, sot Sali Berisha fshihet nëpër banjo dhe mohohet edhe nga rojet në hyrje të Partisë Demokratike, vetëm e vetëm që të mos marrë urdhërin e gjykatës. Sillet si një Çlirim Gjata i çfarëdoshëm. Nano tregoi një kurajo dhe një dinjitet që Sali Berisha as nuk e di se ç’janë. Fatos Nano me pranga në duar në gjykatë tregoi se ishte një lider i vërtetë, ndërsa Berisha që iu fshihet gjykatësve, po tregon se nuk është aspak. (Carlo Bollino)