Nga Preç Zogaj/

Akuzat e ndërsjellta në shamatoret dhe foltoret e politikës janë kakofonia shurdhuese e tranzicionit tonë tridhjetvjeçar. Ku janë përzier në një thes, me një dinakëri të mirëmenduar, krime të mëdha dhe shkelje të vogla, të vërteta tronditëse dhe sajesa të lloj-llojshme. Kjo ka qenë dhe është mënyra më e mirë për fshehur korrupsionin real të drejtuesve të lartë politikë dhe menteshave rreth tyre.

Frika e drejtësisë për të marrë në dorë shpatën e ligjit ka rolin e vet në “ligjërimin” de fakto e palishmërisë në sferat e larta. Sa më shumë është vonuar drejtësia, aq më shumë ka zgjatur hileja e madhe, komploti kundër Shqipërisë, siç do ta quanim në referencë të romanit “Komploti kundër Amerikës” të shkrimtarit të madh Filip Roth, botuar edhe në shqip.

Por prej dy vitesh Shqipëria ka nisur një histori tjetër: Akuzat ndaj politikanëve dhe zyrtarëve nuk janë më sporti, sëmundja, teatri apo biznesi i mexhliseve politike, por objekt i punës së dy institucioneve kyçe të drejtësisë së re: SPAK-ut dhe Gjykatës së Posaçme.

Disa ministra, zëvendësministra dhe zyrtarë të lartë të qeverisë “Rama” janë hetuar, akuzuar, gjykuar e dënuar. Të tjerë po hetohen dhe presin të gjykohen. Është një stuhi që po ngrihet e nuk njeh tabu. Në këtë përshkallëzim, hetimi i ish-kryeministrit Berisha për aferën e privatizimit të ish-klubit “Partizani” përfaqëson majën më të lartë të hetimeve të kësaj natyre deri tani.

Duhet ta themi që në krye: ndërsa janë ngjarje të bujshme për Shqipërinë, hetimet dhe dënimet e zyrtarëve të lartë janë një normalitet në botën demokratike ku askush nuk është mbi ligjin. Shembujt janë të shumtë. Nga ish-kryeministrat tashmë të ndjerë Xhulio Andreoti e Silvio Berluskoni në Itali, te ish-presidenti Nikola Sarkozi në Francë. E me radhë e me radhë. Rasti më i bujshëm dhe më i freskët është hetimi dhe akuzat për katër vepra penale të ngritura nga drejtësia amerikane kundër ish-Presidentit të SHBA, Donald Tramp.

Nga SHBA vjen jo vetëm shembulli i drejtësisë pa asnjë tabu, por edhe ai i përballjes së drejtpërdrejtë të Tramp-it me akuzat në sallat e gjykatave.

Po nga SHBA edhe shembulli i reagimit të institucioneve të drejtësisë përkundrejt komenteve të tij përçmuese dhe denigruese kundër prokurorëve dhe gjyqtarëve që merren me çeshtjet në ngarkim të tij. Para disa javësh, një gjykatëse federale e ka vënë ish-Presidentin nën një urdhër heshtjeje, siç quhet. I pandehuri ka të drejtë të mbrohet, të mbajë qëndrime, t’i konsiderojë botërisht si politike akuzat ndaj tij, të shprehë mendimet e tij për procesin, por i ndalohet të fyejë dhe denigrojë prokurorët dhe gjyqtarët. Në të kundërten rrezikon penalitete të flagrancës.

Ndodh kështu kudo në botën demokratike. Sepse aula e gjykatës është e vetmja e vetmja që ka tagër të bëjë trasparencë ligjore, të shpallë të fajshëm apo të pafajshëm për akuzat që u bëhen të pandehurve. Pra e vetmja ku bëhet drejtësi. Edhe në vendin tonë. Edhe për akuzat e ngritura kundër ish-kryeministrit Sali Berisha për aferën e privatizimit të ish-klubit “Partizani”. Ti heqësh arkitekturës së shtetit demokratik këtë aulë është të duash ta rrëzosh atë.

Është gjëja me normale në botë që akuza dhe mbrojtja të jenë në dy skajet e litarit. Qoftë për përmbajtjen e akuzave, qoftë për çeshtje proceduriale që kanë të bëjnë me kërkesën për arrestim, heqje lirie apo kufizim të lirive ndaj personit me imunitet parlamentar.

Është normale që për të dalë aty ku u intereson Berisha dhe mbrojtja e tij të shfrytëzojnë çdo mundësi, boshllëk, papërcaktueshmëri të qartë apo shumëkuptimësi të një fjale apo shprehjeje të dispozitës kushtetuese. Por ngërçi i krijuar nuk mund të pengojë procesin. Kushtetuta dhe institucionet tona e mundësojë plotësisht zgjidhjen e ngërçit. Berisha ka pretendimet e tij, por nuk është Gjykatë Kushtetuese. Si person i cënuar i takon atij t’u drejtohet gjykatave për interpretimin e nenit 73 të kushtetutës.

E njëjta gjë për pozicionet e kundërta të palëve në lidhje me përmbajtjen e akuzës që ka ngritur SPAK. Janë publikuar deri tani rreth dyqind faqe material. Berisha dhe mbështetësit e tij po i kundërshtojnë në distancë, nëpër media, duke u vetshpallur të pafajshëm si të ishin gjykatës të vetvetes. Të pafajshëm qofshin, por kjo është një betejë ligjore që bëhët dhe finalizohet vetem në një vend: në gjykatë.

Procesi gjyqësor nuk mund të shmanget në asnjë lloj mënyre. Njerëzit e dinë: Le të thotë të vetat akuza! Le të kundërpërgjigjet mbrojtja. Le të flasin dëshmitarët! Gjykata është në mes. Vetëm gjykata ka tagër të shqyrtojë çfarë eshtë provë e çfarë është sajim, çfarë është vepër penale e çfarë nuk është. Vetëm ajo shpall fajtorë dhe të pafajshëm në një sistem me disa shkallë. Askush tjetër.

Hetimi dhe ndëshkimi i zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve që kanë kryer vepra penalisht të dënueshme është misioni historik i drejtësisë së re me mbështetje amerikane, europiane dhe popullore në Shqipëri.

Është një interes publik madhor që përkthehet në kurëzimin e ligjit në monarkun e vetëm, siç e cilësonte njëri prej etërve themelues të SHBA, Aleksander Hamilton. Ku askush nuk mund të jetë mbi të. Zyrtarët dhe ish-zyrtarët që kanë kontribuar në vijën e parë për ngritjen në sistem të pandëshkueshmërisë në sferat e larta duhet të japin shembullin e përballjes me dinjitet përpara gjykatës për akuzat që u bëhen. Kjo sigurisht nuk është diçka fakultative, në dëshirën e tyre. Ata janë të detyruar t’i binden ligjit. Por mirë është të tregojnë respekt për institucionet, duke i sfiduar sy ndër sy për pretendimet që kanë.

Shmangia e drejtësisë është e pamundur dhe vetëm e rëndon pozitën e tyre. Ndërkohë që në përballje, kush akuzohet pa të drejtë, ka mundësi ta provojë këtë para gjykatës dhe publikut dhe madje të rilindë politikisht nëse e ka këtë merak. Siç ka ndodhur me Fatos Nanon.

Gjykata është me disa shkallë. Një shkallë me vetë, e pashkruar, është publiku. Në mesataren e gjykimit publiku ka tregur gjithnjë mençuri dhe objektivitet. Publiku i dallon dhe i shpërfill përpjekjet eventuale të akzuës për të bërë lidhje të shkurtra midis një ligji të Kuvendit apo vendimeve të qeverisë dhe pasojave që ka prodhuar te një subjekt i vetëm. Gjykata aq më shumë e dallon ketë. Por publiku kërkon të shohë ku është vepra penale konkrete, ku është abuzimi, ku është tanxhentja, ku është vjedhja, ku është pastrimi i parave, pra ku është shkelja që cilësohet si vepër penale në bazë të përcaktimeve në Kodin Penal. Për të gjitha këto vendi i duhur dhe i vetmi është gjykata. Të tjerat janë si dalje në mal.