Më 26-29 Tetor u mbajt në Tiranë edicioni i dytë i Climathon, një nismë e themeluar nga Komsioni Europian e cila organizohet në formën e një hackathoni dhe sjell në vëmendje sfidat klimatike në mbarë botën.
Organizuar nga Bashkia Tiranë dhe qendra laboratorike e aftësive të shekullit 21 ICTSlab, edicioni i dytë i Climathon Tirana afroi 140 të rinj të cilët përgjatë një maratone 4-ditore u vunë në kërkim të zgjidhjeve për sfidat klimatike me të cilat përballet qyteti i Tiranës.
Kjo ngjarje është organizuar në 145 qytete dhe 56 vende të ndryshme të botës ndërsa në Shqipëri vjen me mbështetjen financiare të SlovakAid dhe gëzon partneritetin e Ministrisë së Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Drejtorisë së Shërbimeve të Transportit Rrugor, Innovation League, Bankës Credins dhe UNICEF Albania.
Pjesëmarrësit e kësaj gare, të ashtuquajtur edhe si “Krijuesit e Ndryshimit” bashkuan forcat në 30 ekipe të ndryshme ndërsa 11 prej tyre arritën finalen: Eureka, EcoOptimize, GreenO, Urban Reef, InSIT, FloraTech, Greenpath, BinEco, Eco Bite, Moss the Boss dhe Alpha X. Së bashku u vunë në kërkim të zgjidhjeve inovative dhe teknologjike për tre sfidat të cilat Bashkia Tiranë kishte përzgjedhur: Ekonomia Qarkulluese, Smart Mobility dhe AI për Sipërmarrjen e Gjelbër.
Organizuar në kuadër të Panairit Automotiv të Shqipërisë, Climathon Tirana mirëpriti Kryetarin e Bashkisë Tiranë, z. Erion Veliaj, Ministren për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit znj. Delina Ibrahimaj, nën-Kryetaren e Bashkisë Tiranë znj. Keti Luarasi, bashkëthemeluesi i ICTSlab z. Kushtrim Shala, por edhe përfaqësues nga institucionet partnere si znj.Valbona Guri nga Banka Credins, znj. Edina Kozma nga Unicef Albania dhe të ftuar nga ekosistemi Sllovak i inovacionit si z. Peter Kolesar, znj. Eva Simekova, z. Martin Veseli dhe z. Martin Mudrak.
Duke folur për idetë inovative, kryetari i Bashkisë Tiranë z. Erion Veliaj solli në vëmendje ndryshimin e rregullit për licencën e taksive dhe inkurajimin e përdorimit të makinave elektrike. “Në 3 vite 70 përqind e flotave të taksive janë makina elektrike. Jam i bindur që kur unë ta lë këtë mandat do të jetë 100 përqind elektrike.”
Në lidhje me Climathon Tirana, bashkëthemeluesi i ICTSlab, z. Kushtrim Shala tha se “Climathon është një format i decentralizuar që organizohet në formën e një konkursi në të gjithë globin dhe vende të ndryshme kanë sfida të ndryshme ndërsa Tirana ka përzgjedhur tre sfida kryesore.”
Ai tha se në Climathon ide inovative kërkojnë të adresojnë problematikat e hasura me përdorimin e biçikletave elektrike, mjeteve elektrike, karikimi i tyre në formë të zgjuar apo ide për analizën e të dhënave rreth mjeteve të ndryshme në qarkullim në qytetin e Tiranës.
Maratona 48-orëshe e Climathon Tirana filloi mbrëmjen e së Enjtes më 26 Tetor në një takim të veçantë i cili u hap nga menaxherja e projektit znj. Xheni Hatillari, ku u bë regjistrimi i pjesëmarrësve dhe ndarja e grupeve. Gjatë ditës së dytë, e Premte 27 Tetor 2023 të Climathon nën kujdesin e 25 mentorëve, ata nisën workshopet dhe punën në ekip ndërsa në fund të saj u përzgjodhën 10 ekipe më të mira të cilat do të shkonin në finale.
Gjatë ditës së tretë, e Shtunë 28 Tetor 2023, u bë prezantimi i ideve dhe nisën përgatitjet për prezantimin përfundimtare. Dita u mbyll me Festivalin e Ideve. Dita e Dielë, më 29 Tetor 2023 ju dedikua e gjitha ceremonisë përmbyllëse dhe shpalljes së tre fituesve nga juria profesionale e Climathon Tirana.
Eureka “Kërko”, Moss the Boss dhe FloraTech u shpallën fitues në secilën prej sfidave respektive dhe të cilët do të përfitojnë nga fondi prej 3 mijë eurosh alokuar si mbështetje për këtë eveniment. Z. Peter Kolesar, një ekspert i ekosistemit të startupeve dhe inovacionit në Sllovaki ftuar në Climathon Tirana, ndau një çmimi të katërt surprizë për grupin Urban Reef. Në fund të evenimentit secili grup fitues prezantoi edhe njëherë idenë përpara pjesëmarrësve.
Një mundësi e artë për të vepruar dhe krijuar zgjidhje reale përballë sidave klimatike me të cilat përballet Tirana, Climathon ju jep mundësi të rinjve të kontribuojnë për një qytet më të qëndrueshëm, të zhvillojnë mendimin inovativ, të zhvillojnë aftësitë e të folurit në publik, të krijojnë ide që mund të shndërrohet në biznese reale e të bëhen pjesë e një lëvizjeje globale.
Themeluar nga Komisioni Europian dhe zhvilluar nga EIT Climate-KIC, Climathon është një eveniment që organizohet në formën e një hackathon i cili sjell në vëmendje çështjet e klimës. EIT Climate-KIC është partneriteti më i madh publik-privat i cili adreson sfidat klimatike përmes inovacionit duke ndërtuar një ekonomi zero-karbon.
Fituesit e Climathon Tirana
“Kërko.al” by Eureka mundëson një hartë pikash karikimi, informacion mbi konektoret dhe mundëson kontaktin me taksitë elektrike ekzistuese. Projekti ka si qëllim kryesor ofrimin e shërbimit mbi përdorimit e makinave elektrike dhe objektiv afatgjatë ndërgjegjësimin dhe promovimin e tyre për të rritur numrin e makinave elektrike në çdo qytet.
Moss the Boss është një projekt inovativ që synon të shtojë oksigjenin në ajër nëpërmjet paneleve të myshkut. Këo panele janë nje burimi inovativ mes bukurisë së natyrës dhe pastrimit të ajrit për një ambient të freskët dhe të shëndetshëm.
FloraTech është një projekt inovativ i cili synon kryqëzon rrugët e bujqësisë dhe inteligjencës artificiale. Duke përdorur algoritme AI të avancuara, FloraTech synon të revolucionarizojë mënyrën sesi zbulohen dhe menaxhohen sëmundjet e bimëve. Duke analizuar imazhe të bimëve, sistemi mund të identifikojë shenja sëmundjeje, mungesë nutricionale, dhe faktorë të tjerë dëmtues, duke ju dhënë mundësi fermerëve të marrin masa parandaluese që të mbrojnë të mbjellat e tyre. Kjo teknologji jo vetëm që premton rritje e efikasitetit agrikulturor, por gjithashtu të reduktojë përdorimin e pesticideve të dëmshme dhe të promovojë praktikat të qëndrueshme mes fermerëve duke kontribuar për një të ardhme më të gjelbër dhe produktive për agrikulturën.
UrbanReef ka si mision ndërtimin e qyteteve me biodiversitet dhe të shëndetshme që zhvillojnë dhe mbajnë ekosistemet e tyre.