Shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristalina Georgieva tha se vazhdon të presë një rritje të dobët në ekonominë globale.
“Ekonomia globale ka treguar qëndrueshmëri të jashtëzakonshme”, theksoi Georgieva gjatë një fjalimi.
”Por, pavarësisht kërkesës së fortë për shërbime dhe progresit në luftën kundër çmimeve të larta të konsumit, ritmi i rritjes globale mbeti i dobët. Ishte shumë nën 3,8%, mesatarja vjetore nga viti 2000 deri pak para pandemisë së koronavirusit”, shtoi ajo.
Në korrik, FMN kishte paraqitur një parashikim të rritjes prej 3% për vitin 2023 dhe 2024. Vitin e kaluar, ekonomia globale u rrit me 3,5%.
”Bota ka humbur rreth 3,7 trilion dollarë në prodhim ekonomik që nga viti 2020 për shkak të goditjeve të njëpasnjëshme”, tha Georgieva duke iu referuar pandemisë dhe pushtimit rus të Ukrainës.
FMN do të prezantojë perspektivën e re ekonomike të martën gjatë takimit të saj vjetor në Marrakesh.
”Lufta kundër inflacionit të lartë mbetet prioritet”, tha Georgieva.