Forcat e Mbrojtjes të Izraelit në një deklaratë të shkurtër të hënën kanë njoftuar se helikopterët izraelit po godasin aktualisht territorin libanez. Megjithatë, nuk u dhanë detaje të mëtejshme. Më herët, IDF tha se një “numër të dyshuarish të armatosur” që “u infiltruan” në Izrael nga Libani janë vrarë dhe se ushtarët e IDF po kontrollonin zonën. Paqeruajtësit e Forcave të Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Liban, UNIFIL, raportuan shpërthime pranë Al-Boustan në Libanin jugperëndimor.
UNIFIL tha se shefi i misionit dhe komandanti i forcave, gjeneralmajor Aroldo Lázaro është në kontakt me palët e përfshira në konflikt, “duke u kërkuar atyre të ushtrojnë përmbajtje maksimale dhe të përdorin mekanizmat e ndërlidhjes dhe koordinimit të UNIFIL për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm dhe humbjen e jetëve”.
Komandanti i ushtrisë libaneze, gjenerali Joseph Aoun, u takua të hënën me gjeneralmajorin Aroldo Lázaro për të diskutuar situatën në kufirin jugor, tha ushtria libaneze.