Shqipëria sfidon Çekinë në “Air Albania” (20.45), në ndeshjen e vlefshme për kualifikueset Euro 2024. Kuqezinjtë vijnë në këtë takim me mungesa të rëndësishme në mbrojtje, ku për shkak dëmtimesh nuk janë në dispozicion Ismajli dhe Kumbulla. Në sulm, pritej që të paktën ta niste nga stoli Armando Broja, por sulmuesi kuqezi nuk ia ka dalë të jetë në 100% në formë për këtë sfidë, me teknikun që lajmëroi dje se Broja s’do luajë. Në krahun tjetër, kundërshtarët vuajnë mungesë e sulmuesit Patrick Schick.

Pak më parë janë publikuar edhe titullarët, me trajnerin Sylvinho dhe homologun Sylhavi që kanë shuar të gjitha dyshimet për lojtarët që e nisin nga minuta e parë.

Sa i takon rreshtimit kuqezi, përpara portierit Berisha është vendosur Mitaj, Gjimshiti, Ajeti dhe Hysaj. Mesfusha përbëhet nga Ramadani dhe Asllani. Cikalleshi është në majë të sulmit, me sulmuesin që do ketë ndihmën e Seferit dhe Asanit nga krahët. Pas Cikalleshit, qëndron Bajrami.

Formacioni zyrtar:

Shqipëria: Berisha, Mitaj, Ajeti, Gjimshiti, Hysaj, Ramadani, Asllani, Bajrami, Asani, Seferi, Cikalleshi. Trajner: Sylvinho.