Një 10 me yll, kjo është nota që çdo tifoz do të vinte ekipit përfaqësues pas spektaklit që djemtë dhuruan kundër Republikës Çeke. Është e vështirë për të bërë diferencime pas një mbrëmje të tillë, ku emocionet ishin shumë të forta, por për një gjykim të ftohte dhe të bazuar në statistika mendon faqja e specializuar “Sofa Score”. Të gjithë mendojnë se lojtari më i vlerësuar do të ishte Seferi apo Asani, fundja golat janë ato që shijojnë më shumë, që kujtohen më gjatë, por sipas Sofa Score, lojtari më i vlerësuar rezulton Etrit Berisha, nota 8,6.
Në këtë klasifikim, Berishën e ndjek Taulant Seferi me notën 8,4. Jo vetëm “dopieta” e realizuar, Seferi ishte i papërmbajtshëm në këtë mbrëmje duke sakrifikuar shumë edhe në fazën mbrojtëse. Në podiumin e lojtarëve më të vlerësuar nuk mungon Jasir Asani, Arjen Robbeni kuqezi. Me perlën e tij në minutën e 9-të, Asani i dha besim ekipit, por nuk u ndal me kaq, teksa dhuroi një asist edhe për Seferin, nota 7,5 për Asanin.