Në konferencën për mediat me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, kryeministri Edi Rama përmendi ndër të tjera edhe aspektin ekonomik.
Ai tha se në Shqipëri operojnë 111 kompani franceze, të cilat nga pikëpamja ekonomike janë sa një këmbë e Mbappe, por janë shumë krahasuar me vite më parë, kur marrëdhënia ekonomike vlente sa një këpucë e Mbappe.
Kryeministri shtoi se do të bëjmë çmos për këmbën e dytë të Mbappë. Rama theksoi po ashtu se prezenca e Macron motivon Shqipërinë dhe shqiptarë dhe përpjekja e Shqipërisë për t’u bërë Evropa e Ballkanit është e pakthyeshme.
“Sot Franca është e pranishme në Shqipëri me 111 kompani me kapital të përbashkët. 111 janë shumë pak dhe nga pikëpamja ekonomike janë sa një këmbë e Mbappe, por janë shumë krahasuar me disa vite më parë, kur marrëdhënia jonë ekonomike vlente sa një këpucë e Mbappe, do të luftojmë së bashku për këmbën e dytë të Mbappe.
Dua ta mbyll këtë hyrje duke e përsëritur se jam shumë i lumtur dhe krenar për Shqipërinë që ishte gati për të mikëpritur Francën, së mund të mirëpresësh shumë francezë, por Francën e pret vëtëm kur i pari i Francës të troket në derë.
Që presidentin e Francës të vijë në Shqipëri nuk është e lehtë dhe nuk ka qenë lehtë, ndaj jam shumë i lumtur.
Rruga evropiane e Shqipërisë dhe ambicia e Shqipërisë për t’u bërë Europa e Balllanit është e pakthyeshme.
Sot dua ta përsëris para presidentin që ne do përpiqemi të mos jemi një nga 6 pjesët e Evropës, që është evropiane kur flet me Evropën dhe ballkanike kur flet me 5 shtetet e tjera.
Ky proces është që Evropa të vijë këtu, që qytetarët tanë të jetojmë me standardet e BE. Dhe zoti president unë ju siguroj që ne do të bëjmë çmos, që të jemi Evropa e Ballkanit në të gjitha aspektet, por dua t’ju them se duke ardhur ju këtu, jeni njësoj si një rockstar që kur shkon në një vend motivon shumë famijë, ju motivoni Shqipërinë dhe shqiptarët.
Ne nuk mund të jemi kurrë Franca dhe s’kemi pse të jemi, por ne mund të jemi një vlerë e shtuar e Evropës dhe një mik i besuar i Francës. Që Franca ta shohë Shqipërinë jo si një vend të vogël, por si një mik.
Procesi i anëtarësimit është procesi më i mërzitshëm në botë. Ne duhet të arrijmë që ta bëjmë procesin e mërzitshëm , të mos na e humbasë dëshirën për të qeshur dhe për të bërë tjerët të qeshin, përndryshe një Shqipëri e mërzitshme do të ishte jo atraktive sado të sundonte ligji, ne i duam të dyja bashkë,” tha Rama.