Mero Baze
Sot pati një çlirim të Berishës dhe mbështetësve të tij nga riatdhesimi I Ilirit dhe Monikës në Shqipëri. Në fakt filloi qysh mbrëmë, kur Monika postoi foto me parukierien dhe Meta me një militant të LSI.
Edhe pse Berisha nuk ishte I sigurt ku u zhduk këtë javë Ilir Meta ankthi lexohej qartë . Sa herë e pyesnin gazetarët përtypte fjalë sikur kish arra në gojë.
Askush tjetër përveç atij dhe mbështetësve të tij nuk kishin ndonjë kuriozitet ku ishte Meta dhe gruaja e tij. Dikush thoshte në një klinikë shëndeti, dikush në një udhëtim turistik në Hungari, por i gjithë kurioziteti buronte nga fakti pse kishin lënë vetëm Berishën. Se ata jashtë udhëtojnë rregullisht, por nuk ngjallin kaq shumë ankth.
Por akoma më I pamëshirshëm ishte qëndrimi I çiftit Meta në këtë histori. Duke parë ankthin e Berishës dhe të vetëve, ata nuk u bën të gjallë qysh ditën që u shqiptua dënimi i Berishës. As mesazhe, as deklarata, asgjë.
Ishte si një zhdukje e një dashnoreje të zemëruar, që nuk ja kanë ditur rëndësinë deri ditën e hallit. Dhe kjo reflektohej tek Berisha tek fytyra e tij kur e pyesnin “ku është Meta” dhe mbi të gjitha tek ankthi që rrezatonin njerëzit dhe mediat që mbështesin Berishën.
Dukej se Ilir Meta dhe gruaja e tij po testonin Berishën se si po e përjetonte një braktisje të mundshme ndaj tij në këto ditë të vështira. Aq më tepër që braktisja shoqërohej me thashetheme të tipit që ndaj tyre ka hetime por ata “nuk do ta dorëzojnë kokën në sini” dhe do shikojnë punët e tyre.
Kjo ja ulte shumë pikët heroizmit të Berishës që ka vendosur të luftoj dhëmb për dhëmb me SPAK në sheshet dhe rrugët e Shqipërisë, duke ja bërë gjyqin nga tribunat e demokratëve pa pranuar të dorëzohet.
Dhe I gjithë ky ankth që Meta dhe gruaja e tij prodhuan duke testuar braktisjen e Berishës në javën e tij më të keqe në jetë, e tregon sot, çlirimi që ka pësuar gjithë Foltorja, në “të shtatat” e urdhër ndalimit për Berishën, kur më në fund Meta u shfaq në Tiranë.
Thirrjet e tyre “erdhi, erdhi” apo dhe më keq, ndenja e triumfit që “Meta u jep përgjigje gjithë atyre që thanë se ka ikur”, tregon qart se çfarë kanë përjetuar. Të vetmit që I “jep përgjigje” Meta me kthimin e tij është Berisha , I cili e ka kërkuar gjithë javën në makth pse kishte ikur jashtë dhe kish fikur telefonin.
Po shyqyr më në fund u kthye. Tani opozita është më e sigurt pasi rrezikonte të ngelej në dorë të Agim Neshos dhe Flamur Nokës. Edhe Berisha është më I sigurt se e ka në krah një njeri që e bën më të fort në këto ditë të vështira. E ka si bashkëfajtor dhe bashkëvuajtës.