Arsimi profesional, prej vitesh tashmë, po përzgjidhet nga të rinjtë si rruga e suksesshme e integrimit të tyre në tregun e punës.
Shqipëria është një vend, që vijon të ketë një nga popullsitë me moshën më të re në Europë, duke përbërë një avantazh përsa i përket furnizimit të tregut të punës me forcë punëtore. Por njëkohësisht duke krijuar një nga sfidat më të rëndësishme për një qeveri; punësimin e të rinjve në një treg që gjithnjë e më shumë po bëhet më dinamik.
Nëse i referohemi të dhënave të INSTAT, shkalla e punësimit nga mosha 15-24 vjeç është 26%, shifër, e cila na tregon se ka ende hapësira për të rritur punësimin te kjo grup moshë, që jo vetëm ka vitalitetin më të madh, por edhe ka mundësitë më të mëdha për të aftësuar dhe për t’i shërbyer tregut të punës, për t’u integruar më thjeshtë dhe më shpejt në këtë treg.
Pikërisht për t’i ardhur në ndihmë këtij procesi të rëndësishëm për të ardhmen e vendit, do të nisë zbatimin për herë të parë në Shqipëri, Skema e Garancisë Rinore, program i Bashkimit Evropian, i dedikuar për të rinjtë e papunë të regjistruar në zyrat e punësimit, të cilët brenda një periudhe 4-mujore duhet të marrin një ofertë punësimi, trajnimi apo mësimi profesioni. Fokusi i programit janë të rinjtë as në punësim, as duke ndjekur shkollën (NEET) (15-29 vjeç).
Zv/ministrja e Financave dhe Ekonomisë Olta Manjani tha në lançimin e këtij projekti se nisja e zbatimit të tij në vendin tonë ka synim të përbashkët integrimin e të rinjve në tregun e punës përmes pilotimit si hap të parë në tre bashkitë kryesore të vendit, në Tiranë, në Shkodër dhe në Vlorë.
“Sfida jonë si ministri e Financave dhe Ekonomisë dhe bashkërisht dhe partnerëve tanë ndërkombëtar me të cilët kemi vite që bashkëpunojmë, por edhe e pushtetit lokal është të zbatojë përmes zbatimit të këtij programi, pra të rinj të cilët nuk punojnë, nuk marrin një edukim apo nuk janë në trajnim.
Në BE 15% e të rinjve në moshën 15-24 vjeç i përkasin pikërisht kësaj kategorie. Megjithatë fatkeqësisht në Shqipëri kjo shifër është më e lartë, është në masën 26 %. Në këtë grup rreth 37% janë të papunë, pjesa tjetër janë jashtë fuqisë punëtore sepse janë punëtorë të dekurajuar, rreth 15.4% e tyre, janë në përmbushje të përgjegjësive të ndryshme shtëpiake dhe familjare rreth 17.5% e tyre ose për arsye të tjera nuk janë pjesë e tregut të punës rreth 30% prej tyre. Përmes politikave që po zbatojmë dhe ndryshimeve ligjore që kemi ndërmarrë nëpërmjet Garancisë Rinore ne po lançojmë një sërë reformash dhe një sërë nismash jetike, duke përfshirë promovimin e strategjive të informacionit dhe aktivizimit të të rinjve, forcimin e shërbimeve të orientimit dhe të këshillimit të karrierës, konsolidimit të politikave aktive të tregut të punës, përafrimin e arsimit dhe trajtimit me dinamikat e tregut të punës dhe krijimin e stimujve të të mësuarit gjatë gjithë jetës.” – u shpreh zëvendësministrja Manjani.
Plani i pilotimit përcakton fazat dhe kontributin e institucioneve të ndryshme, për zhvillimin dhe koordinimin e politikave arsimore, të punësimit dhe ato sociale për të rinjtë, duke synuar heqjen e barrierave dhe krijimin e mundësive që të rinjtë të hyjnë në tregun e punës dhe të kenë një zhvillim të suksesshëm profesional.
Zv/Ministrja Manjani tha se “Zbatimi i plotë i projektit do të shtrihet në një periudhë të gjatë kohore 2024-2027, e cila është e ndarë në 4 faza kryesore dhe sigurisht do të vihet në zbatimin dhe në bashkëpunim me ministri të tjera të linjës.
Gjatë fazës së pilotimit parashikohet të nisë dhe zbatimi i këtij programi, duke u mbështetur në punëdhënës që operojnë në të gjithë sektorët e ekonomisë dhe sigurisht fokusi do jetë ne sektorët të cilët qeveria shqiptare i konsideron dhe si sektorë prioritarë që përfshijnë turizmin dhe energjinë.”
Agjencia Kombëtare për Punësim dhe Aftësim ka dizajnuar edhe një portal të dedikuar për Garancinë rinore, i cili do funksionojë si një portal hyrës, si një portë hyrëse për të gjithë ata të rinj të cilët duan të regjistrohen për të përfituar nga shërbimet e punësimit, të trajnimit dhe gjithçka që ofron skema e Garancisë rinore. Aktualisht portali mundëson dërgimin e një shprehjeje interesi, duke paraqitur të dhëna të përgjithshme.
Me qëllim pilotimin e skemës së Garancisë rinore, Agjencia Kombëtare për Punësim dhe Aftësim do të menaxhojë regjistrimin e të rinjve dhe fluksin nëpërmjet regjistrimit në sistemin e shërbimeve të punësimit fillimisht në fazën e pilotimit për 200 te rinj që do të vijnë në zyrat e punës.