Seanca plenare e ditës së sotme ka degraduar në konfrontime fizike mes deputetëve të opozitës dhe maxhorancës.

Duket se strategjia për të bllokuar punimet e Kuvendit nuk u ka dalë efektive kësaj radhe deputetëve të pakicës në Parlament. Kjo për shkak se Garda e Republikës nuk i ka lejuar të afrohen dhe të pengojnë futjen e ministrave dhe postin e kryetares së Kuvendit. Madje mes deputetëve të PD dhe gardës ka patur përplasje ç’ka acaroi tonet që në nisje të seance.

Deputetët e opozitës kërkuan që të nxirrej garda jashtë, ndërkohë që kryetarja e Kuvendit ka nisur seancën duke i dhëne fjalën deputetëve të PS-së për të vijuar punimet. Lindita Nikolla ka ironizuar me demokratët, duke u thënë: “Mirë e keni krahun?!” Në këto momente deputetët e opozitës kanë tentuar t’u presin fjalën socialistëve, ç’ka solli dhe konfrontimin fizik mes Bledjon Nallbatit dhe Vullnet Sinës.

Nallbati ka goditur me grusht Sinën, ndërkohë që ky i fundit e ka shryrë. Strategjia e PD ka qenë intimidimin e kolegeve të PS, duke i penguar ata të flisnin. “T’ju vij turp, turp!” “Je zonjë e nderuar ndërprite fjalën”- është shprehur Flamur Noka, teksa tentoi ti hiqte fjalën Teuta Ramajt. Pas këtyre tentativa për të penguar socialistët, Lindita Nikolla ndërpreu seancën për herë të dytë.