Nga Ilir Metaj/
Dhe pastaj është ai.
Gaztori. Gaztori me pagë deputeti. Kostum e kravatë lidhur.
Ai shërben të njëjtën supë të lodhur “humori” kaps, të ngrohur e ringrohur për të disatën herë. E gatuan një herë për gjithë vitin, se është i zënë me punë më të mëdha.
Çfarë pune bën? Ja pra aq. Dikur përveç kësaj bënte edhe lëpirësin e liderit. Pastaj të liderit të supozuar. Pastaj të liderit të risupozuar. Pra të atij që kishte më shumë shans të ulte menderen. Në karrige. Rradha.
“Rrufetë godasin lisat e gjatë” tha me sytë e përlotur e zërin e shkërmoqur nga drithërimat e dhimbjes së dëshpërimit, kur Departamenti i Shtetit shpalli non-grata liderin. Lis i gjatë, tha.
“Ai është burrë që nuk i dridhet qerpiku” shqiptoi me pasionin e shkulur nga cepthi veriperëndimor i zemrës, teksa puliste sytë per të testuar qerpikun e vet. E kishte fjalën për liderin e supozuar këtë herë. Nderkohë, mbi qepalla përthyhej pa u krisur një rreze drite e bardhë, që kushedi pse kthehej në të kuqërremtë pas përplasjes. Qerpik që nuk dridhet, tha.
Ja rikujtoi vetes me dhunë këtë fakt, si arsye per t’u rikthyer në gjirin e liderit të risupozuar. Supë e ringrohur, prandaj.
Frojdi ka një shpjegim interesant për burrat që adhurimin ndaj liderit e shprehin duke iu referuar cilësive fizike. Qerpiku që nuk dridhet,ose fortësia dhe gjatësia. E lisit.
Gaztori punon edhe kur nuk punon. Shpërndan gazmën, hargalis dynjanë, pa patur nevoje të mendojë. Hic fare, i vjen natyrshëm.
Siç nuk i vjen natyrshem të bëjë deputetin,të shkojë në mbledhjet e komisioneve,të mos mungojë e të flasë në seancat parlamentare,të qëndrojë afër zgjedhësve, të diskutojë çështjet serioze të politikës.
Mos e dhëntë Zoti. Politika është supë që do gatuar çdo ditë-recetë e re.
Gaztori gatuan vetëm një herë në vit. Pastaj ringroh e shpërndan nga një garuzhde çdo ditë. Nën tisin e kuqërremtë të dritës që e rrethon.
Ama me cep të syrit vëzhgon qerratai. Kujt i bie rradha të bëhet lider sot? Që t’i ofrojë hajgaren.
Por befas vë re diçka. Tronditet, humbet sigurinë.
Askush nuk po qesh me hajgaren e tij. Po mirë. Këtë e dinte.
Por…. Për herë të parë vuri re se nuk po qeshte as vetë.
Duhet pak vetgudulisje, mendoi.