Bëhet e ditur se nga Semestri i Pranverës 2024, Gjuha shqipe do të jetë lëndë mësimi në Universitetin e Pensilvenias (University of Pennsylvania), një nga më të mirët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e në botë.
Lajmin e mirë e ka dhënë vajza shqiptare Ballina Prishtina, e cila ka luajtur një rol në përpjekjet për ta bindur administratën e universitetit.
“Shpresoj që ta kuptojmë të gjithë se çfarë momenti historik është ky për grupin tonë [të studentëve shqiptarë të këtij universiteti], për gjuhën tonë të bukur e unike që do të mësohet në universitetin më të vjetër amerikan”, ka shkruar në faqen e saj në Facebook. Ballina shkruan se “gjuha jonë mbijetoi mrekullisht qindra viteve nën pushtim të huaj. Unë doja që ta shihja të gjallë e për shumë vite të tjera, të dokumentuar në arkivat historikë të Universitetit tonë, si një gjuhë që këmbëngul në një komb të qëndresës.
Kursi “Shqipja Elementare” (Elementary Albanian), niveli fillestar i gjuhës do të ofrohet në Departamentin e Gjuhëve për çdo student të interesuar. Ndonëse është vetëm një hyrje në gjuhën shqipe, kursi mund të shërbejë si një hapje dyersh për studentët që do të donin të dinin më shumë për gjuhën dhe historinë tonë, shpjegon Ballina. “… do të shërbejë edhe si një mjet për brezin e parë, të dytë e madje edhe të tretë të shqiptaro-amerikanëve për ruajtur gjuhën shqipe ndër breza. U bëj thirrje të gjithë studentëve të tanishëm që të regjistrohen në këtë kurs për të lënë një gjurmë në listat e notave dhe në arsimimin tuaj, si luftëtarë që po bëni çdo gjë që duhet për ta mbajtur gjuhën tonë të folur dhe të gjallë. Shpresoj që të kujtoheni të gjithë që të mos ndaloni kurrë së luftuari për popullin dhe gjuhën tuaj”, shkruan ajo.