Nga:Namir Lapardhaja
Është e papranueshme në pikëpamjen njerëzore dhe etike të gëzohesh kur tjetri është në vështirësi. Por për dy vite me radhë Sali Berisha, familja e tij, një çetë sejmenësh me lidhje krahinore, tarafi, interesi ekonomik klientelist dhe lidhje të tjera të nëndheshme, kanë bërë gjithçka kanë mundur për ta penguar drejtësinë për t’u afruar te oborri i tyre familjar që me paturpësi dhe ligësi ekstreme e quajnë Parti Demokratike.
Kanë harxhuar mund dhe djersë për të shkatërruar PD-në dhe opozitën; miliona euro për të blerë njerëz, kohë mediatike, gazetarë, analistë dhe media, duke porositur sulme gënjeshtare dhe duke krijuar një realitet imagjinar se fitorja ishte afër, se ishin më të fortë dhe më të bashkuar se kurrë; kanë shantazhuar kolegë dhe u kanë bërë presion të tjerëve për t’iu bashkuar ‘kauzës së tyre të drejtë’, por, në fund, gjylja u shpërtheu te këmbët.
Kjo që ndodhi është sigurisht një lajm i mirë për Shqipërinë, për drejtësinë, për opozitën.
Ishte ngjarje e paralajmëruar që duhej të kishte ndodhur më herët.
Nuk mund të kushtëzohet fati i vogël personal privat me fatin e stërmadh të qindra mijra votuesve.
Për të shpëtuar nga pleshti edhe mund ta djegësh jorganin, por halli është se bashkë me jorganin djeg edhe veten.
Nuk kanë mundur ta frikësojnë SPAK-un edhe përkundrejt ‘bashkimit’ me ‘opozitarë’ të llojit të Bardhit dhe Salianjit, të cilëve, tashmë, do t’u duhet që, për të dhënë ‘prova besnikërie’, të sulmojnë nga frëngjitë e bunkerit buzë Lanës imperializmin anglo-amerikan dhe bashkëpunëtorët e tyre në sistemin e drejtësisë. Hetimi i nisur nga SPAK për dhëndrin e familjes dhe për vetë Berishën, nuk i jep mundësi Berishës të shqiptojë famëkeqen sentencë të tij: “Më nxirrni një provë dhe unë do të largohem”. SPAK-u i nxori provat. Tani është shumë vonë për t’u larguar nga arena e turpit. Sali Berisha e nisi duke ulëritur rroftë e bukura e dheut dhe e shndërroi në pocaqinë e dheut. E filloi me rrena, e vazhdoi me zjarr, flakë e kulla, dhe po e mbyll pa parti, pa vulë, pa pasaportë.
Ai mund të jetë në ‘të drejtën’ e tij për t’u mbrojtur nga rrufetë e drejtësisë, mirëpo personalja duhet ndarë nga kolektivja, penalja nga politika, përndryshe është, si ka qenë dhe do jetë, i pabesueshëm.
Nuk mund të mbahen peng PD-ja dhe opozita, demokratët dhe shqiptarët, për t’u bërë mburojë e një njeriu apo familjeje të vetme, cilado qoftë ajo.
Është koha që opozita të gjejë energji dhe guxim për të kuruar plagët nga lufta ‘vëllavrësëse’ provokuar dhe ushqyer nga Sali Berisha për interesa materiale, familjare dhe klanore me mendësi komuniste.