Pavarësisht hetimit të nisur nga SPAK dhe masës së sigurisë nga GJKKO në adresë të ish-kryeministrit Sali Berisha, ky i fundit duket se ka vendosur të mos heqë dorë nga aksioni politik opozitar.
Sot në orën 12:00 është njoftuar mbledhja e Kryesisë së PD-së, ku thuhet se do të diskutohet për zhvillimet e fundit politike.
“Ditën e mërkurë ora 12.00 në ambientet e selisë së PD-së do të zhvillohet mbledhja e Kryesisë PD me rend dite: 1- Diskutime rreth zhvillimeve të fundit politike. 2-Të ndryshme …”, – thuhet në njoftim. Ndërsa pas Kryesisë, Berisha pritet të mbledhë ditën e premte Këshillin Kombëta,r me qëllim diskutimin për situatën politike në vend dhe hapat që do të ndërmerren në vijim.
“Të nderuar anëtarë të Këshillit Kombëtar, ditën e premte dt. 27 tetor, ora 18.00 në selinë e PD do të mblidhemi për të diskutuar situatën politike dhe hapat që do të ndërmarrim në vazhdim”, – thuhet në njoftim.
Kujtojmë se më herët Berisha paralajmëroi se po shqyrtohet edhe mundësia e rikthimit te protestat. Ai tha se gjithçka është mbi tryezë ndërsa “Rama dhe skapistët po bëjnë gjyqin e reformave të suksesshme të PD”.
“Asnjë gjë nuk është jashtë tavolinës. Të gjitha janë në tryezë. Ne, siç e shihni, kemi të bëjmë me një proces monstruoz politik. Kur Edi Rama, me dy skapistë dhe një tjetër, vënë në tryezë reformat e suksesshme, sepse ajo ekonomi, për dijeninë tuaj, atë vit që janë emetuar bonot, jo për shkak të bonove, ka pasur një rritje prej 8.3 për qind sipas institucioneve ndërkombëtare”, – tha Berisha për gazetarët.