Mendoja se do të mund t’i ndihmoja aktivisht ndërtimit të atdheut të popullit hebraik dhe se, në këtë kuptim, edhe do të punoja në mënyrë kreative. Në vend të kësaj, rrija e mbyllur në një banesë të vogël në skaj të Jerusalemit, ndërsa mendimet e mia ishin të koncentruara në atë se si t’ia delja në fund me pagën e Morrisit. Solel Boneh shpesh më jepte triska kredituese në vend të pagës, por ata nuk dëshironte t’i pranonte në vend të parave të gatshme as pronari i banesës, as njeriu që na e sillte qumështin, as edukatoresha e Menahemit.

Nganjëherë vinte Shamaji në Jerusalem për një ditë a dy dhe sillte pakëz djath ose ndonjë konservë me pemë a perime, që na i dërgonte Shejna. Me to bënim “banket” të vërtetë. Më shtohej paksa disponimi. Por, kryesisht më hanin brengat.

A ishin skamja, vuajtja dhe brengat e tërë ajo që më ishin përcaktuar si fat?

Para se të na lindte Sara, në pranverë të vitit 1926, patëm kursyer pakëz para, sepse kishim dhënë me qira njërën nga dy dhomat tona, pa rrymë dhe pa gas natyror. Por, sapo lindi Sara, vendosëm që, për shkak të kushteve, të mos e japim më me qira dhomën tjetër, me qëllim që fëmijët të kenë dhomën e tyre. Kërkoja punë të cilën do të mund ta kryeja pa i lënë fëmijët vetëm. I propozova edukatoreshës së Menahemit që, në vend të pagesës, t’i laj rrobat për tërë çerdhen. Me orë të tëra rrija në oborr duke pastruar grumbuj të shamive të vogla, të përparëseve dhe të jelekëve të fëmijëve. Në një shporet me petrolej ngrohja një pas një vedrat me ujë.

Puna nuk më pengonte. Në Merhavia kisha punuar punë shumë më të rënda dhe kjo më bënte të lumtur. Por, atje isha pjesë e komunitetit, anëtare e bashkësisë dinamike, suksesi i të cilës për mua ishte gati më i rëndësishëm se gjithçka tjetër në botë. E, në Jerusalem isha njëfarë robi, sikur miliona gra të tjera. Por, natyrisht se nuk ishin të gjitha ditët njësoj të këqija. Kur nxente dielli dhe qielli ishte i kaltër (në Jerusalem, qielli i verës, besoj, është më blu se gjithkund tjetër), rrija ulur në shkallë dhe shikoja fëmijët se si loznin. E, nëse koha ishte me erë dhe e ftohtë dhe nëse fëmijëve u mungonte diç (sidomos Sarës, e cila kryesisht ishte e sëmurë), nuk vajtoja, por në vetvete megjithatë ndjeja thellësisht një pakënaqësi me fatin tim. A thua, a ishin skamja, vuajtja dhe brengat e tërë ajo që më ishin përcaktuar si fat? Më e keqja ishte se Morrisit as që mund t’i tregoja se si ndjehesha. Atij i duhej qetësi, ushqim i rregullt dhe rehati shpirtërore. Unë nuk mund t’ia ofroja asnjërën nga këto. Dhe, as që ma merrte mendja se në të ardhmen e afërt diç do të mund të ndryshonte në aspektin pozitiv.

Edhe në Solel Boneh ishte shumë keq. Kishim frikë se ky institucion do të mbyllej fare. Nuk ishte fort vështirë të themeloje me idealizëm një firmë jozyrtare për ndërtim publik dhe të krijosh kuadër e t’i punësosh punëtorët hebraikë në ndërtimtari. Por, ishte punë krejtësisht tjetër të fitosh kapitalin e duhur dhe të fitosh përvojë të domosdoshme për ndërtimin e rrugëve dhe të banesave. Solel Boneh në atë kohë mund të paguante vetëm me triska nga 100 e 200 funta, që kishin mbulesë aksionet për punë të kryera.

I gënjeja prindërit se po jetonim mirë

Për ndërtimtarinë në Palestinë, në atë kohë, ekzistonte një barcoletë. Një hebre kishte thënë se do të mund të ndërtonte shtëpi vetëm po të kishte një jastëk me pupla. – Si? – e kishin pyetur. – Shumë thjesht! – ishte përgjigjur. Jastëkun e mirë mund ta shesësh për një funtë. Me atë funtë mund ta paguash librezën e anëtarësisë në ndonjë bankë dhe kjo të jep të drejtë të marrësh hua 10 funta. Me 10 funta në xhep mund të kërkosh ndonjë truall. Sapo ta gjesh truallin, me 10 funtat tua mund t’i afrohesh pronarit dhe ai do të pajtohet që pjesën tjetër ta marrë me triska. Tash ke një copë tokë dhe mund të kërkosh ndërtimtar, të cilit do t’i thuash: – Kam truallin tim, ma ndërtoni një shtëpi. E gjithë ajo që kërkoj është të ma ndërtoni një shtëpi për mua dhe për familjen time!

Mua s’më dukej fare interesante kjo barcoletë. Nganjëherë më vizitonte Regina, e cila në atë kohë punonte në një zyrë të Drejtorarit sionist në Jerusalem. Derisa unë pastroja pavullnetshëm, ajo dëgjonte për problemet e mia dhe përpiqej të më kurajonte. Por, kur u shkruaja prindërve në Milvoki, raportet tona i paraqisja krejtësisht tjetërfare. Bile edhe para Shejnës përpiqesha t’i heshtja problemet, të mos tregoja se jeta jonë ishte e tmerrshme, por nuk besoj se kam mundur ta mashtroj.

Në atë kohë isha e zënë vetëm me rrethin më të ngushtë, që ishte shumë e pazakonshme. Jerusalemi asokohe ishte seli e pushtetit mandator, vend nga i cili me shtetin qeveriste komisari i lartë britanik. Më 1925, sir Herbert Samuelin e zëvendësoi lordi Plumer. Si gjithmonë në historinë e tij, Jerusalemi ishte qytet fantastik: një mozaik vendesh të shenjta dhe njëkohësisht qendër kryesore e qeverisjes koloniale, simbol i kontinuitetit të historisë hebraike. Banorët e Jerusalemit dallojnë me shumëçka nga banorët e qyteteve të tjera palestineze. Bile, edhe pjesa ku banonim ne ishte ekzotike: shtrihej në kufi të Meah Shearimit, pjesë kjo e Jerusalemit që edhe sot banohet nga hebrenjtë ultraortodoksë. Ata edhe sot vishen njësoj, kanë sjellje të njëjta dhe kanë zakone të njëjta si të Evropës Lindore në shekullin XVI. Hebrenjtë si unë dhe Morrisi, ata i konsideronin gati paganë. Kjo laramani e Jerusalemit mua s’më linte aspak përshtypje. Isha shumë e lodhur, e thyer shpirtërisht, tepër merresha me vetveten dhe me familjen time dhe nuk shihja çka ndodhte rreth meje, siç duhej të veproja.

Muri i Lotëve

Një mbrëmjeje u nisa për te Muri i Lotëve. Kjo nuk ishte hera e parë që shkoja atje. Një javë a dy pas ardhjes në Palestinë, para shkuar atje bashkë me Morrisin. Ç‘është e vërteta, jam rritur në familje tradicionale hebraike, por assesi nuk isha fetare, prandaj u nisa për atje pa shumë emocione. Fare papritmas, në fund të rrugës së ngushtë e plot lakesa të Qytetit të Vjetër pashë Murin. Dukej shumë më i vogël se sa sot, pas gjithë atyre gërmimeve. Për herë të parë pashë hebrenjtë, meshkuj e femra, se si luten, qajnë dhe bëjnë kvitlah (lëvizje e njëtrajtshme e pjesës së epërme të trupit gjatë lutjes) para Murit dhe si fusin në mënyrë të pashkathtshme lutjet e shkruara për të Gjithëfuqishmin. Kjo është, pra, e tëra që ka mbetur nga e kaluara e lavdishme dhe nga tempujt e Solomonit, mendova. Megjithatë, Muri ende qëndron. Këta hebrenj ortodoksë me kvitlahun e tyre nuk duan të pranojnë se popullit të tyre u kanë mbetur vetëm ata gurë. Ata shpresojnë në ardhmëri. E ndjeva veten sikur të rilindur, do të mund të thuhej si të lartësuar, kur ika nga Muri.

Rreth pesëdhjetë vjet më vonë, më 1971, e përjetova çlirimin e Jerusalemit si dhuratën më të mirë që më është dhuruar herëdokur në jetë. Në solemnitet fola për një vizitë tjetër që i kisha bërë Murit e që ishte shumë e rëndësishme. Ndodhi kjo më 1967, pas luftës gjashtëditëshe. Nëntëmbëdhjetë vjet, që nga viti 1948 e deri më 1967, arabët nuk na lejonin të hynim në Qytetin e Vjetër dhe të luteshim para Murit. Por, ditën e tretë të luftës gjashtëditëshe, pra të mërkurën, më 7 qershor, i gjithë Izraeli qe dridhur me lajmin se ushtarët tanë kishin çliruar Qytetin e Vjetër. Më në fund, ai ishte hapur për ne. Tri ditë pas kësaj duhej të shkoja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nuk munda ta lë Izraelin e të mos shkoj edhe një herë te Muri. Edhe pse qytetarët ende nuk guxonin të shkonin në Qytetin e Vjetër, sepse atje ende kishte të shtëna me armë, mua m’u dha leje që të premtën në mëngjes të shkoj te Muri, ndonëse asokohe ende nuk isha anëtare e qeverisë por qytetare e rëndomtë.

Atdheu nacional i hebrenjve nuk po lulëzonte

Më përcollën disa ushtarë. Para Murit ishte vendosur një tavolinë e zakonshme druri me disa pushkë mbi të. Parashutistët e uniformuar, si në trans nga lutjet, aq fort ishin kapur për gurë sa që fitohej përshtypja se assesi s’mund t’i shkëputësh nga Muri. Ata dhe Muri ishin bërë një. Dhe, vetëm pak orë më parë trimërisht luftonin për çlirimin e Jerusalemit dhe kishin parë se si u vraheshin shokët. Tash qëndronin para Murit dhe qanin. Edhe unë mora një copë letër, shkrova në të fjalën “Shalom” (paqe) dhe e futa mes gurësh, ashtu siç i pata parë më herët të bënin hebrenjtë. Derisa po qëndroja aty, një nga ushtarët (dyshoj të ketë ditur se kush jam) papritmas më përqafoi, vuri kokën në krahërorin tim dhe – filluam të qajmë bashkë. Mendoj se ai kishte nevojë për ngrohtësi të zemrës së një gruaje në moshë. Ky është momenti më prekës në jetën time.

Njëzet vjetët që pasuan më vonë, ishin deprimuese jo vetëm për mua, por edhe për tërë Palestinën hebraike. Më 1927, në Jishuv, 7.000 meshkuj e femra ishin pa punë, ose 5 për qind e popullatës hebraike të Palestinës. Sikur u tret entuziazmi i sionistëve. Në vend arrinin më shumë njerëz se sa mund t’i punësonte Jishuvi. Nga 13 mijë hebrenjtë e ardhur në Palestinë më 1926, më shumë se gjysma sërish ikën nga atje. Më 1927, për herë të parë, numri i ikurve ishte më i madh se numri i të ardhurve. Disa nga ata që u larguan shkuan në SHBA, ndërsa të tjerët nëpër pjesë të ndryshme të perandorisë britanike. Ekzistonte edhe grupi, të cilit i takonin anëtarët e “Batalionit të punëtorëve”, i themeluar më 1920 për të punësuar të ardhurit në ndërtimin kooperativ të rrugëve dhe në projekte të tjera që i financonte qeveria mandatore. Shumë nga ata u kthyen në Rusi, për arsye ideologjike, por ata pastaj i internuan në Sibir ose i vranë, gjithashtu për arsye “ideologjike”.

Shkaqe të ndryshme kushtëzuan krizën serioze ekonomike. Ekonomia e Jishuvit ishte ende e pazhvilluar sa duhet. Nuk kishte vende të tjera të punës pos në ndërtimtari (ku ishte e punësuar gati gjysma e të gjithë punëtorëve hebraikë në Palestinë) dhe në plantacione portokajsh. Ndërmarrjet industriale hebraike mund të numëroheshin me gishtërinjtë e njërës dorë: Dead Sea Works, kriporja dhe gurthyesi afër Athlitës, Palestine Electric Corporation me centralë në brigjet e Jordanit, fabrika e sapunëve dhe e vajit ushqimor Shemen, si dhe fabrika e cimentos Nescher në Haifa. Ekzistonin edhe disa ndërmarrje të vogla, ndër to shtypshkronja dhe bodrumi i verës. Kjo ishte e tëra.

Ekzistonte edhe një problem tjetër serioz: mëditjet e punëtorëve hebraikë ishin shumë të vogla, por punëtorët arabë ishin të gatshëm të punonin për mëditje edhe më të vogla. Qeveria mandatore, zaten, ndërtoi një rrjet rrugësh, por praktikisht nuk bëri gjë për zhvillimin e ekonomisë së vendit. Në disa raste, ajo lëshoi pe ndaj trysnive të ekstremistëve arabë, ndër ta edhe myftiu i Jerusalemit Haxhi Amin el Husein. Edhe pse kishin kaluar vetëm disa vite që kur Anglia kishte marrë mandatin mbi Palestinën, pushteti kishte filluar të sillej armiqësisht ndaj hebrenjve. Kufizoi kuotën e ardhjes së hebrenjve, ndërsa, më 1930, ndaloi plotësisht vendosjen e hebrenjve në Palestinë për një kohë të caktuar. Thënë shkurt, atdheu nacional i hebrenjve nuk po lulëzonte.