Me 14 vjet mbarova shkollën fillore. Notat i kisha të mira. U zgjodha kryetare e klasës, prandaj duhej të mbaja fjalimin lamtumirës. Ardhmëria më bëhej e ndritshme dhe e qartë. Isha e sigurt se do të vazhdoja High School dhe se pastaj do të bëhesha mësuese. Kjo ishte dëshira ime e flaktë. Mendoja, por edhe sot mendoj, se thirrja e mësuesit është më fisnikja dhe më e plota. Mësuesi i mirë ua hap fëmijëve gjithë botën. Ai i mëson ata të përdorin mendjen e tyre, ai i armatos, në mënyra të ndryshme, për jetë.

Babai donte të më shkollonte, nëna dëshirote të ma gjente një burrë

Por, prindërit e mi, kishin për mua plane të tjera nga ato që mendoja unë. Mendoj se babai me dëshirë do të më dërgonte në shkollë të mirë. Gjatë manifestimit lamtumirës në shkollë fillore në Fourth Street, sytë iu mbushën me lot nga gëzimi. Mendoj se kishte kuptuar se për çka ishte fjala. Mirëpo, jeta e tij personale kishte dështuar, prandaj nuk mundi të më ndihmojë shumë. Nëna dinte saktësisht, si gjithmonë, se çfarë duhej të bëj, përkundër raportit të saj katastrofal ndaj Shejnës. Meqë mbarova shkollën fillore, flisja mirë anglisht pa theks dhe meqë, siç flisnin fqinjtë, u zhvillova në “derwaksenen schejn mejdl” (vajzë e rritur dhe e bukur), duhej të punoja gjithë ditën në tregti dhe, herët a vonë, por më mirë herët, të mendoja për martesë që, sa më kujtohet, për mësueset asokohe ishte gjë e ndaluar me ligj.

Nëse me çdo kusht dëshiroj të arrij diçka, më tha nëna, do të mund të shkoja në shkollë për sekretaresha dhe të aftësohesha për stenografi. Në këtë mënyrë, së paku nuk do të mbetesha lëneshë. Babai im u pajtua. – Nuk është mirë të jeshë tepër e mençur – ma tërhoqi vërejtjen. – Meshkujt nuk i duan femrat inteligjente – më tha.

Mu sikur edhe Shejna, u mundova me të gjitha mënyrat që t’i bind prindërit. Mirëpo, nuk ndihmuan as faktet e mia e as lotët e mi. Prindërit ishin të bindur se High School ishte luks i paarsyeshëm. Shejna, nga Denveri (ishte në shërim e sipër por braktisi senatoriumin), përkrahte luftën time; gjithashtu edhe Shamaj (burri i Shejnës), i cili po ashtu u transferua në Denver.

Nëna u kap për kashtën e fundit: dëshironte të më gjente burrë. Natyrisht se nuk dëshironte të më martonte menjëherë, por dëshironte shumë të më fejonte në moshën time që ajo e konsideronte të arsyeshme për fejesë. Për dallim nga Shejna, unë duhej të merrja një burrë që paraqet dikë, jo ndonjë njeri të pasur, por së paku një njeri solid. Prindërit, në mënyrë të fshehtë, kishin biseduar me njëfarë mr. Goodstein, një njeri i bukur, i pashëm, relativisht i pasur, tridhjetë vjeçar. Këtë njeri e njihja ngase vinte kohë pas kohe në shitore për të llafosur me mua. Mr. Goodstein ishte për mua njeri në moshë, dyfish më i moçëm se unë.

Cila është kthesa e jetës sime?

Shejnës së ngratë i shkrova një letër plot pezm. Përgjigja nga Denveri arriti me postën e parë: “Assesi mos e ndërprej shkollimin. Je e re për punë. Ke gjasa të mira të bëhesh dikushi!”, shkruante Shamaj. Dhe, më sugjeronte me zemërgjerësi: “Të këshilloj të bëhesh gati dhe të vish te ne. Ne nuk jemi të pasur, por këtu ke gjasa të mira për studime, ndërsa ne do të bëjmë për ty të gjitha ato që mund t’i bëjmë”. Në një kënd të letrës, Shejna shkroi përshëndetjen e përzemërt me dorë të vet: “Menjëherë duhet të vish te ne!”.

E shkruar në Denver, në dhjetor të vitit 1912, kjo letër paraqet kthesë në jetën time, sepse në Denver fillova njëmend të arsimohem dhe atje edhe u rrita.

Kur erdhi mbrëmja vendimtare (për të ikur për në Denver), po rrija bashkë me prindërit në kuzhinë. Ajo natë sikur i ngjante netëve të tjera, por unë në zemër ndjeja njëfarë rëndimi. Derisa ata pinin çaj dhe bisedonin, unë e shkrova lajmin që dëshiroja t’ua lëja – vetëm disa fjalë, jo fort të zgjedhura. “Po shkoj te Shejna dhe te ajo edhe do të jetoj me qëllim që të mund të studioj!” – shkrova në letër dhe shtova edhe atë se nuk duhet të brengosen dhe se do t’ua shkruaj nga Denveri. Sigurisht se, të nesërmen, kur e lexuan letrën, ata ishin shumë të pikëlluar.

Në Denver m’u çel një jetë e re, edhe pse Shejna e Shamaj ishin gati njësoj të ashpër sikur prindër. Banesa e vogël e Shejnës në Denver u bë njëlloj qendreje për emigrantët hebraikë. Të gjithë merreshin fort me çështjet më të rëndësishme të ditës. Flisnin dhe ziheshin me orë të tëra lidhur me atë se çfarë po ndodh në botë dhe se çfarë do të ndodhë në të ardhmen. Debatonin mbi filozofinë anarhike të Emma Goldmanit dhe të Pjotër Kropotkinit, debatonin për kryetarin Uilson dhe për pozitën në Evropë, për pacifizmin, për rolin e gruas në shoqëri dhe për ardhmërinë e popullit hebraik.

Natyrisht, unë isha gjithmonë më e reja aty ku rrinim. Judishtja ime nuk ishte aq e mirë sa e diskutantëve të tjerë të shumtë. Thithja fjalët e tyre, sikur ato do të ndërronin të ardhmen e njerëzimit. Nganjëherë theksoja edhe mendimin tim.

Më interesonte shumë plani i shtetit nacional të hebrenjve

E tensionuar dëgjoja secilin që kishte të thoshte diç, ndërsa më me kujdes dëgjoja sionistët socialistë, ngase filozofia e tyre politike me dukej më realja. Drejtpërdrejt më ishte e qartë ideja e shtetit nacional për hebrenjtë. Hebrenjtë do të duhej të gjenin një vend në rruzullin tokësor ku do të mund të jetonin të lirë dhe të pavarur. Në një vend të tillë, askush nuk do të nëpërkëmbej dhe nuk do të ndjehej i shtypur. Asnjë njeri nuk do të duhej të frikësohej nga njerëzit e tjerë. Plani i shtetit nacional të hebrenjve, asi çfarë dëshironin të krijonin hebrenjtë në Palestinë, më interesonte më shumë se sa skena politike në Denver ose ngjarjet politike në Rusi.

Thuaj se të gjitha bisedat në banesën e Shejnës bëheshin në hebraishte, ngase shumë pak të pranishëm e dinin gjuhën angleze aq mirë sa të shpreheshin drejt për gjithë ato gjëra të rëndësishme ideologjike. Debatohej për tema nga më të ndryshmet. Kishte mbrëmje kur flitej kryesisht për letërsinë hebraike: për Sholom Aleihemin, për Peresin, për Mendele Moher Sforimin. Mbrëmjet e tjera i kushtoheshin probelemeve të caktuara, siç ishin e drejta e votës së femrave apo ardhmëria e sindikatës. Mua më interesonte gjithçka, por isha e magjepsur kur biseda niste për njerëzit si Aaron David Gordon, i cili më 1905 u nis për në Palestinë dhe ndihmoi në formimin e kibucit Degani, kibuc ky që u krijua tri vjet më vonë në bregun e shkretë të liqenit të Galileut. Ëndërroja për atë që t’u bashkohesha këtyre pionierëve në Palestinë.

Nuk më kujtohet se cili djalosh nisi, te Shejna, bisedën për Gordonin, por isha e mahnitur me atë që na rrëfeu për këtë njeri, një mezoburrë i cili me mjekrën e tij të gjatë e të thinjur i ngjante zotit Kronos. Gordoni kurrë nuk kishte punuar fizikisht. Kur mbushi gati pesëdhjetë vjet, u nis me familjen e vet për në Palestinë me qëllim që me duart e veta të punojë tokën e vet dhe të shkruajë mbi “religjionin e punës”, siç e quajtën ithtarët e tij kredon e Gordonit. Ndërtimi i Palestinës, sipas Gordonit, do të duhej të ishte kontribut i madh i hebrenjve për njerëzimin. Në Izrael, hebrenjtë, me punë fizike, do të gjejnë rrugën e tyre në krijimin e shoqërisë së drejtë, duke supozuar se secili, me forcat vetanake, do të angazhohet për këtë qëllim.

Vetëm me punë vetanake hebrenjtë vërtet do të liroheshin nga getoja e tyre

Gordoni vdiq më 1922, një vjet para se të arrija në Palestinë. Kurrë nuk e takova. Por, nga të gjithë mendimtarët dhe revolucionarët e mëdhenj të botës, për të cilët kam dëgjuar aq shumë te Shejna, mendoj se me gjithë dëshirë do të dëshiroja ta njihja të parin.

E konsideroj mahnitëse edhe historinë romantike të Rachela Bluwsteinit. Kjo vajzë e ndieshme nga Rusia, arriti në Palestinë gati njëkohësisht me Gordonin. Ishte fund e krye nën ndikimin e tij. Rachele ishte poete e talentuar. Punonte tokën në vendbanimin e saj të ri në liqenin e Genezaretit, ku edhe lindën disa nga poezitë e saj më të mira. Edhe pse nuk e dinte asnjë fjalë në hebraishte para se të vinte në Palestinë, ajo u bë një nga poetet e para bashkëkohëse hebraike. Shumë poezi të saj më vonë janë bërë këngë dhe, edhe sot, këndohen në Izrael. Në fund u sëmur nga veremi. Më nuk mund të punonte fizikisht. Vdiq në moshën 40-vjeçare. Por, derisa isha në Denver, ende ishte gjallë. Emrin e saj e pata dëgjuar për herë të parë nga njeriu i cili e kishte njohur atë në Rusi.

Pas shumë vjetësh, kur për të rinjtë u bë modë ta përqeshin brezin tim për shkak të joelasticitetit të tij, për shkak të konvencionalitetit dhe të lojalitetit ndaj “establishmentit”, kam menduar gjatë për rebelët intelektualë si Gordoni, Rachele dhe dhjetëra të tjerë. Sipas mendimit tim, asnjë hipi modern nuk është rebeluar aq me sukses kundër “establishmentit” sikur ata pionierë në fillim të shekullit. Shumica nga ata ishin fëmijë tregtarësh dhe shkencëtarësh; shumë rridhnin nga familje të njohura dhe të pasura. Po të kënaqeshin vetëm me sionizmin, ata do të vendoseshin në Palestinë, do të blenin fusha me portokaj dhe do t’i bënin arabët që për ta t’i kryenin të gjitha punët. Kjo do të ishte puna më e thjeshtë. Por, ata vërtet ishin radikalë. Ishin thellësisht të bindur në atë se vetëm me punë vetanake hebrenjtë vërtet do të liroheshin nga getoja dhe nga mentaliteti i tyre. Ata, vetëm në këtë mënyrë, do t’i mundësonin vetvetes të kërkojnë tokë dhe që, nëpër histori, edhe të fitojnë të drejtën morale të qeverisin me të. Mes tyre kishte poetë dhe njerëz të çuditshëm, disa prej të cilëve kishin një të kaluar të bujshme. Të gjithë ishin barabar të magjepsur nga eksperimenti. Dëshiruan të krijojnë një shoqëri të mirë në Palestinë, më të mirë se cilado tjetër në pjesën tjetër të botës.

Pse mbijetuan kibucet?

Komunat që themeluan – Kibbuzim izraelite (kibucet ishin vendbanime bujqësore kooperativiste) – mbijetuan sigurisht vetëm për shkak të idealeve të vërteta revolucionare dhe sociale mbi të cilat u themeluan dhe që edhe sot bazohen mbi to.

Netët denveriane, të mbushura me plot debate, luajtën rol të rëndësishëm në jetën time. Ishin vendimtare për bindjet e mia të mëvonshme dhe për idetë që i përkraha apo që nuk i pranova në rininë time. Por, qëndrimi im në Denver kishte edhe pasoja të tjera. Një nga djelmoshat më pak të vërejtshëm që vinin te Shejna ishte i urtë dhe i qetë. Ishte mik shtëpie dhe quhej Morris Meyerson, të cilin Shejna e kishte njohur në spital. Familja e Morrisit kishte ardhur në Amerikë nga Lituania dhe, sikur edhe familja jonë, ishte shumë e varfër. Morrisit i kishte vdekur babai kur ai ishte fëmijë. Dhe, Morrisi u desh të punonte si shumë i ri për të mbajtur nënën dhe tri motrat. Kur u njohëm, Morrisi kohë pas kohe punonte si vizatues i mbishkrimeve. Kurrë, e as gjatë takimeve të zhurmshme netëve të tëra në banesën e Shejnës, Morrisi nuk e ngriste zërin. Mirëpo, ai më ra në sy ngase, si autodidakt, kuptonte shumë gjëra, për të cilat, as unë e as shumica e miqve të Shejnës e të Shamajit, nuk dinim gjë. E donte poezinë, pikturën dhe muzikën dhe dinte shumë për këto tri lëmë. Me mua, me një të interesuar por të padijshme, bisedonte me kënaqësi për karakteristikat e një soneti apo sonate të caktuar.