Stacioni hekurudhor, rëra që na rrethonte, e gjithë kjo i takonte atdheut të popullit hebraik. Derisa prisnim në rërën e nxehtë prush, pa ditur nga të shkojmë, e kishim vështirë të kujtoheshim se për çfarë arsyesh erdhëm këtu. Dikush nga grupi ynë (ndoshta ishte Josseli), u kthye nga unë dhe më tha gjysmë i dëshëpruar dhe gjysmë në shaka: – Qe, Golda, deshe të vish në Erec Jisrael. Këtu jemi. Tash mund të kthehemi të gjithë. Kjo mjafton! Nuk e di se a ishte saktësisht Josseli ai që i tha këto fjalë, por saktësisht e di se assesi nuk më ka shkuar mendja te qesh kur i dëgjova këto fjalë.

Dëshpërimi i fillimit

Papritmas na u afrua një njeri dhe u prezentua në judishte. Quhej Barash. Ishte pronar i hotelit aty afër dhe ndoshta mund të na ndihmojë. Thirri qerren, pastaj ne ngarkuam valixhet tona. Tërhiqeshim sikur zvarrë pas tij, të lodhur, duke pyetur vetveten se sa larg mund të ecim nëpër atë vapë përcëlluese. Para stacionit të trenit vërejta një dru. Sipas masave amerikane, nuk ishte dru i lartë. Por, ishte druri i parë që pashë atë ditë. Se si ishte rritur në mënyrë të çuditshme nga rëra, nuk e di, por më dukej se është simbol i qytetit të ri.

Në hotel hëngrëm, pimë dhe u pastruam. Dhomat ishin të mëdha dhe të ndritshme. Zonja dhe zotëriu Barash ishin shumë mikpritës. Disponimi ynë u rrit bukur shumë dhe vendosëm që të mos i heqim gjërat nga valixhet dhe të mos planifikojmë asgjë, para se të shlodhemi mirë. Në ato momente, shih tmerrin, pamë gjurmë tartabiqesh nëpër shtretër. Zotëriu Barash kategorikisht hodhi poshtë dyshimin tonë. Ndoshta janë miza, thoshte, por tartabiqe – assesi! Para se të ndërroheshin çarçafët, Shejna, Regina dhe unë humbëm çdo dëshirë për të fjetur. Pjesën tjetër të mbetur të ditës në Tel-Aviv e kaluam duke bindur njëra-tjetrën se kemi probleme shumë më të mëdha se sa që janë tartabiqet.

Të nesërmen, herët në mëngjes, Shejna u lajmërua vetë të shkojë në treg dhe të blejë pakëz pemë për fëmijët. Pas pak çastesh u kthye shumë e dëshpëruar. Të gjitha gjërat janë përplot me miza, tha, dhe nuk ka as letër për mbështjellje e as qese të letrës. Gjithçka këtu është shumë primitive, ndërsa dielli pjek aq shumë sa që është vështirë të durohet. Kurrë nuk e kam dëgjuar Shejnën të ankohet në jetë. Pyesja vetveten se si do të adaptohemi me jetën e re. Ndoshta do të ishte më mirë që atje të mos shkonim në pikë të verës, por në vjeshtë dhe do të ishte më mirë sikur të banonim afër detit dhe flladit që sillnin valët. Kështu ishim gjithnjë në mes të vapës dhe gati gjithmonë ndjeheshim të lodhur dhe të pavullnetshëm.

Askush nuk na besonte se nuk kishim të holla

Mbi të gjitha, miqtë tanë u kthyen nga Jersualemi dhe na ftuan për darkë. Jo vetëm që na treguan gjerësisht për problemet e shumta që do t’i kemi, por na gostitën me “hamburgerë”. Ata kishin shije sapuni dhe i hëngrëm me shumë vështirësi. Në fund kuptuam se njëmend një sapun kishte rënë në mish. Por, ky sqarim nuk e bëri mishin më të shijshëm. Të zhgënjyer dhe me luktha të prishur u kthyem në hotelin e Brashovit.
Pas disa ditësh na u bë e qartë se më nuk ka kuptim të rrimë në atë hotel. Sikur druri që e pashë në stacionin e trenit, edhe ne, herët a vonë, duhet të ngulim rrënjë. Veç kësaj, të hollat gati na ishin harxhuar. Ne kishim ardhur nga Amerika, por megjithatë kishim shumë pak të holla, edhe pse askush nuk e besonte këtë. Atë verë, në Tel-Aviv takova një grua, e cila më përqafoi, më puthi dhe më tha: – Shyqyr Zotit që, ju milionerët, erdhët te ne! Tash, këtu, gjithçka do të jetë në rregull!

Plani ynë ishte të rrinim në Tel-Aviv një javë apo dy, ndërsa më vonë t’i bashkangjitemi një kibuci. Që në Milvoki kishm zgjedhur kibucin në të cilin do të anëtarësoheshim. Por, kur u interesuam për këtë çështje në Tel-Aviv, na thanë se duhet të presim të kalojë viti e pastaj të paraqesim lutjet. Banesa kishte shumë pak, qiraja ishte shumë e madhe, ndërsa ne kishim nevojë për një vend që do të zinte së paku shtatë shtretër. U ndamë në grupe dhe filluam të kërkojmë strehim. Pas disa ditësh gjetëm një banesë dydhomëshe, në fund të një rruge pa kalldrëm në Neveh Zadek, në pjesën më të vjetër të Tel-Avivit. Banesa nuk kishte as banjo e as nevojtore. Ato dy dhoma, që duhej t’i ndanim bashkë me nja dyzet vetë të tjerë, ndodheshin në oborr dhe kishin një kuzhinë të vogël. Qiranë kërkuan ta paguajmë paraprakisht për tre muaj, edhe pse kishim ardhur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Shprehitë tona i pengonin fqinjtë
U vendosëm aty, jo fort të impresionuar, por tash ndjeheshim më shlirshëm. Huazuam shtrojë e mbulojë, vorba e tava dhe disa sende të servisit për ngrënie. Shejna u obligua të udhëheq punët e shtëpisë. Ziente në një shporet me vajgur. Regina u punësua si stenografe në një zyrë, Josseli punonte te një ondulist, Morrisi gjeti punë si njëlloj kontabilisti në një firmë britanike për instalime në Lod, ndërsa unë mbaja mësim nga gjuha angleze. Pastaj, më ofruan të punoj në High School, por meqë dëshironim që sa më parë të anëtarësoheshim në kibuc, mendova se mirë do të jetë nëse nuk gjej punë të përhershme. Shumica e njerëzve që njoha në atë kohë në Tel-Aviv mendonin se mësimdhënia është veprimtari tepër intelektuale për pionierin e ardhshëm. Nuk lodhesha duke u shpjeguar se është fjala për një punë vetëm të përkohshme. Unë nuk kish ardhur në Palestinë për të përhapur kulturën amerikane.

Marrë në përgjithësi, u gjetëm mirë. Megjithatë, kaloi kohë shumë e gjatë derisa fqinjtë tanë u mësuan me shprehitë tona të çuditshme amerikane. Për shembull, askush nuk kuptonte se pse ne kishim vënë rrjeta kundër mizave në dritare. Të gjithë të tjerët kishin parmakë të mëdhenj që të mbroheshin nga macet endacake. Çfarë të keqeje kishte nga mizat? Në atë pjesë të botës, ato janë të pashmangshme. Megjithatë, ishim këmbëngulës në atë që banesën ta bënim sa më të përshtatshme për banim dhe, në njëfarë dore, edhe ia arritëm. Kur arritën sëndukët tanë nga Napoli, i përdorëm për dollapë dhe për tavolina. Morrisi i zbukuroi muret. Pasuria më e vlefshme jona ishte gramafoni dhe pllakat. Pak-ngapak njerëzit filluan të vijnë në mbrëmje te ne për të pirë çaj dhe për të dëgjuar muzikë.

Të gjitha u desh t’i bëjmë vetë

Emigrantëve të rinj shpesh u flisja se i kuptoj mirë problemet e tyre rreth adaptimit me jetën e re, sepse mendoja në përvojat e mia pas ardhjes në Palestinë. Isha e bindur se në shtetin në të cilin duam të jetojmë, vetë duhet ta gjejmë rrugën tonë. Asokohe nuk ekzistonte shteti i Izraelit, as Ministria për emigracion, as Jeëish Agency. Askush nuk na ndhmoi rreth vendosjes, as rreth mësimit të hebraishtes e as rreth gjetjes së kulmit mbi kokë. Të gjitha u desh t’i bëjmë vetë dhe kurrë as që na ka shkuar mendja se dikush e ka obligim moral të na ndihmojë. Në asnjë mënyrë nuk ishim më superiorë se emigrantët që vinin pas nesh në Izrael. Nga secili prej nesh, individualsht, varej se a do të jetë jeta jonë në Palestinë më e lehtë, më e mirë dhe më përmbajtësore. Nuk kishim zgjidhje tjetër, pos që sa më parë të adaptohemi me jetën e re.

Viti i parë nuk na shkoi hiq mirë. Djali i Shejnës fitoi ifeksion të rëndë të syve. Judita me javë të tëra vuante nga të thatët që i dilnin nën lëkurë. Por, përkundër kësaj, askush nga ne nuk mendonte seriozisht që ta lëshonte vendin. Dalngadalë filluam të ndjejmë se po bëhemi pjesë e këtij vendi. Natyrisht, i shkruanim letra shumë të kujdesshme prindërve dhe miqve tanë dhe nuk ua përmendnim shumicën e gjërave të pakëndshme të jetës sonë. Megjithatë, letra që ia shkrova Shamajit gjashtë javë pas qëndrimit tonë në Palestinë, shpreh gjithë atë që mendonim për aventurën tonë:

“… Kush flet për kthimin, është i sapoardhur. Punëtorët ‘autoktonë’ janë shumë të mahnitur dhe me plot besim. Derisa të jenë këtu ata që sadopak bënë për këtë që ekziston këtu, nuk mund të largohem, dhe duhet të vish edhe ti. Nuk do të të thoja kështu po të mos e dija se sa i përgatitur je ti për punë të rëndë. Thënë të drejtën, bile është vështirë të gjesh punë të rëndë, por nuk dyshoj se nuk do të gjesh ndonjë punë. Natyrisht, kjo nuk është Amerikë, dhe mund të ndodh që në aspektin ekonomik të jetë shumë keq. Mund të ketë sërish bile edhe incidente. Por, nëse njeriu e do vendin e vet me gjithë zemër, atëherë duhet të jetë i përgatitur për të gjitha këto… Nuk ke arsye të presësh më”.

Nuk kisha gëzim më të madh në jetë: isha aty ku duhej të isha

Qëndrimi im ishte fare i arsyeshëm. Isha sall njëzet vjeçe dhe po bëja mu atë që dëshiroja të bëja. Fizikisht isha e fortë, plot energji dhe në shoqëri me njerëz që i doja shumë: me burrin tim, me motrën, me miken time më të mirë. Nuk kisha fëmijë për të cilët do të duhej të kujdesesha. Për mua ishte fare njësoj nëse kishim frigorifer ose jo, apo nëse kasapi na e kishte mbështjellur mishin e blerë me gazetën e marrë nga toka ose jo. Këto pakënaqësi të imëta humbnin kuptimin nga ngjarjet e mundshme pozitive që kishim.

Në mbrëmjen e të premtes së parë tonës në Tel-Aviv, po ecja rrugës. Ndjeja se në jetën time nuk kam pasur gëzim më të madh se sa tash kur jam këtu ku jam – në qytetin e parë të pastër etnikisht hebraik në botë. Të gjithë ne, nga vozitësi i autobusit e deri te nikoqirja jonë, kemi të kaluar të njëjtë dhe qëllime të njëjta për të ardhmen. Këta njerëz janë vëllezërit e mi dhe motrat e mia. Unë dhe ata do të mbetemi të bashkuar përgjithmonë. Dhe, edhe pse kishim ardhur në Palestinë nga vende të ndryshme dhe bartnim me veti kultura të ndryshme, e shpesh edhe flisnim gjuhë të ndryshme, kishim bindjen se këtu jemi hebrenj jo vetëm që mund të durohemi mes veti, por edhe se mund të jetojmë ligjshmërisht. Se këtu do të jemi të zotët e vetvetes, e jo pre e fatit tonë. Përkundër të gjitha pakënaqësive dhe problemeve të vogla, isha shumë e lumtur. Edhe sot krenohem me Shejnën kur mendoj se si ia arrinte t’i dilte në krye të gjithave dhe asnjëherë nuk ka dhënë shenj se u bë boll, se është mërzitur me jetën këtu (përkundër faktit se të dy fëmijët i kishte të sëmurë dhe Shamaji ishte aq larg, ndërsa posta ishte aq e ngathtë sa që letrat nga ai i merrte me disa muaj vonesë).

Morrisi, i cili në fillim hezitoi të vinte në Palestinë, tash tregohej shumë trim dhe i vendosur të qëndrojë edhe pse, për shembull, librat, të cilat janë aq të rëndësishme për të, i merrte me shumë vonesë, të shqyera dhe të bëra qull nga uji. Shpesh pyetem se, po të isha në vend të tyre, a do të isha aq e vendosur të rrija këtu. Natyrisht, në atë kohë kishte të sapoardhur në Palestinë, të cilët nuk mund të duronin dhe ktheheshin, sikur ata miqtë që duhej të na prisnin. Edhe tash ka njerëz që e braktisin këtë vend, sepse nuk mund t’i përballojnë rrethanat. Sipas mendimit tim, vendimi i tyre për largim do të jetë humbje për ta gjatë gjithë jetës.
Si i blemë tokat?

Në shtator bëmë garë për anëtarësim në kibucin Merhavija, të cilin e quajtëm Emek. Këtë kibuc e zgjodhëm nga një arsye fare e rastit: miku im që ishte edhe mik i Morrisit, i cili kishte ardhur në Palestinë me Legjionin hebraik, ishte vendosur atje. Shumë pak dinim për Merhavinë dhe përgjithësisht për kibucet, pos asaj se ato janë kolektive bujqësore në të cilat nuk ka titullar prone, as punëtorë me paga dhe as tregti private, por se bashkësia, si e tillë, ishte përgjegjëse për tërë prodhimtarinë, për të gjitha shërbimet dhe për përmbushjen e nevojave individuale. Të dy besonim (unë plotësisht, ndërsa Morrisi më pak) se mënyra e jetës në kibuc do të na ofrojë më shumë se çdo mënyrë tjetër e jetës që të dëshmohemi si sionistë, si hebrenj dhe, përgjithësisht, si njerëz.

Të them këtu diçka edhe për Emekun, ngase historia e luftës për zhvillimin e tij është e rëndësishme përgjithësisht edhe për historinë e mëtimeve sioniste. Kur Liga e Kombeve, pas Luftës së Parë Botërore, ia dha Britanisë së Madhe mandatin e qeverisjes me Palestinën, dukej se sërishmi, sipas deklaratës së Balfaurit, është në rrugë e sipër realizimi i ëndrrës për krijimin e shtetit nacional hebraik.